Ballina Flash

Përkujtohet sot Masakra e Tivarit 1945

TIRANË, 2 prill /ATSH/ Përkujtohet sot Masakra e Tivarit, 1-2 prill 1945.

Me qëllim shpërbërjen e qëndresës shqiptare në Kosovë, gjatë muajve mars-prill 1945, pothuajse në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, shqiptarët etnikë nga viset shqiptare në Jugosllavi i mobilizuan dhe i shpërngulën me dhunë në frontin e dytë, të ashtuquajturin “Fronti i Adriatikut”.

Ata u grumbulluan e më pas u shoqëruan nga oficerë shqiptarë në kazermën ushtarake të Prizrenit. Aty u çarmatosën së bashku me oficerët që i shoqëruan e iu dorëzuan Brigadës XXVII të divizionit të 45-të serb, e shquar për terrorin e ushtruar ndaj popullit shqiptar.

Shpërngulja u bë në dy etapa me tre grupe. Më 24 mars 1945 u nis grupi i parë me 3.700 vetë, i keqtrajtuar barbarisht nga brigada IX serbe gjatë rrugës me anije, e më pas gjetën vdekjen 65 vetë. Dy ditë më vonë u nis grupi i dytë me rreth 4.700 vetë. Në mesditën e 1 prillit ata mbërritën në qytetin e Tivarit, ku u masakruan masivisht. Më 27 mars 1945 u nis grupi i tretë me rreth 2.700 vetë, i cili mbërriti në Tivar më 2 prill, e nga ku më pas rreth 800 prej tyre u helmuan, shumica prej tyre gjeti vdekjen.

Sipas burimeve arkivore rezulton se në Tivar u vranë e u masakruan rreth 2947 – 3447 shqiptarë, rreth 1000 prej të cilëve gjatë rrugëtimit.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakGAZA – Vriten shtatë punonjës të ”World Central Kitchen”
Artikulli tjetërAksident në rrugën Këlcyrë-Përmet, 8 persona humbin jetën