TIRANË, 2 prill /ATSH/ Nën drejtimin e kryetarit, Arben Pëllumbi, Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, zhvilloi mbledhjen e radhës, ku shqyrtoi Raportin Vjetor të vitit 2023 të Entit Rregullator të Sektorit të Furnizimit me Ujë dhe Largimit e Përpunimit të Ujërave të Ndotura (ERRU).
Të ftuar ishin Ndriçim Shani kryetar i ERRU, Fatime Imeraj, sekretar i përgjithshëm, Sokol Kraja, drejtor i Drejtorisë Teknike-Ekonomike dhe Ediola Braha, komisionere.
Në fjalën e tij në prezantim të këtij projektligji, Shani u shpreh se, “raporti pasqyron aktivitetin dhe performancën e institucionit të realizuar gjatë vitit te shkuar, përfshirë dhe përmbushjen e rekomandimeve, të cituara në rezolutën e Kuvendit të Shqipërisë për tu realizuar për ERRU-në gjatë vitit 2023”.
Gjithashtu, tha ai, “raporti pasqyron zhvillimet kryesore në sektorin ujësjellës kanalizime në Shqipëri dhe jep rekomandime për përmirësimin e performancës së sektorit dhe të vetë institucionit”.
Shani, tha se, “aktiviteti i ERRU-së për vitin 2023, ka konsistuar në drejtimet kryesore të mëposhtme, përkatësisht licencimi i Shoqërive UK, analiza dhe miratimi i propozimeve për tarifa të reja nga Shoqëritë UK, monitorimi i Performancës së Shoqërive UK, mbrojtja dhe Trajtimi i Ankesave të Konsumatorëve ndaj shoqërive UK, pjesëmarrje aktive fizike dhe online në konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare, raportime dhe Analiza mbi Aktivitetin e ERRU-së, etj”.
“Në zbatim të misionit në mbrojtje të interesave të konsumatorëve, përveç zgjidhjes së ankesave të tyre me shoqëritë UK, gjatë vitit 2023, si pjesë e grupit ndërinstitucional, ERRU ka dhënë kontributin e saj në finalizimin e Strategjisë Ndërsektoriale për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe Mbikëqyrjen e Tregut 2023 – 2030”, theksoi Shani.
Mbledhja vazhdoi me pyetje dhe diskutime për këtë raport.
Po ashtu, në mbledhjen e sotme, komisioni shqyrtoi edhe projektligjin “Për disa ndryshime në Ligjin nr. 125/2013 “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar, nismë e deputetit Laert Duraj.
Duraj, në fjalën e tij për këtë projektligj, u shpreh se, qëllimi kryesor është kryerja e disa ndryshimeve të cilat synojnë rregullime në ligjin ekzistues, me qëllim aplikimin në mënyrë të drejte, korrekte dhe të dispozitave ligjore, gjë e cila bën të mundur rregullimin dhe përmirësimin e procedurave të ligjit të Koncesioneve.
“Ky projektligj vjen si domosdoshmëri për të përmirësuar procesin e koncesioneve në vend”, tha Duraj.
Relatori i çështjes, Arben Pëllumbi, vuri në dukje se, kjo nismë i vjen në ndihmë biznesit në rastin e kontratave të përbëra koncesionare.
“Këtë nismë e kemi diskutuar dhe ishim në pritje të mendimit edhe të Këshillit të Ministrave, i cili tashmë ka ardhur. Nisma është diskutuar dhe votuar edhe në komisionin e Ekonomisë dhe në komisionin e Ligjeve duke pësuar disa ndryshime”, theksoi Pëllumbi.
Pas diskutimeve, anëtarët e komisionit e miratuan këtë projektligj në parim, nen për nen dhe në tërësi, me ndryshimet të dakordësuara gjatë diskutimit.
/r.e/























