TIRANË, 26 mars/ATSH/ Në ambientet e bashkisë së Kamzës, këtë të martë u zhvillua një takim mes drejtuesve të Policisë së Tiranës, strukturave dhe nënkryetares së kësaj bashkie, Rajmonda Nikolli.
Sipas njoftimit të Policisë Vendore Tiranë, gjatë takimit u diskutuan masat në kuadër të luftës ndaj kultivimit të bimëve narkotikëve.
“Ditën e sotme u zhvillua një takim me fokus forcimin e bashkëpunimit me qëllim zbatimin sa më efektiv të masave të hartuara për të parandaluar dhe goditur veprimtarinë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, si prioritet i qeverisë shqiptare”, njofton Policia e Tiranës.
“Në këtë takim ishin të pranishëm prefekti i qarkut Tiranë, Afrim Qendro, zv/drejtori për Rendin dhe Sigurinë Publike, drejtues Luigj Vathi, shefi i Komisariatit të Policisë Nr. 5 komisar Oliger Torba, nënkryetarja e bashkisë Kamëz, Rajmonda Nikolli, ndërlidhësit me komunitetin etj.”, vijon njoftimi i Policisë së Tiranës.
“Qëllimi i këtij takimi ishte parashikimi i masave, detyrave dhe veprimet që do të merren dhe zbatohen nga strukturat ligjzbatuese, për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike”, bëhet me dije më tej në njoftim.
“Gjatë takimit u diskutua për bashkëpunim sa më efikas me strukturat e tjera ligjzbatuese, koordinimin e menjëhershëm dhe efektiv të punës ndërmjet strukturave, si dhe për problematika të ndryshme dhe kryesisht për zonat që janë me risk të lartë për kultivimin e bimëve narkotike”, njofton Policia e Tiranës.
Sipas njoftimit, Policia e Tiranës do të vijojë kontrollet e përbashkëta në terren, me të gjitha agjencitë ligjzbatuese, me qëllim bashkërendimin e veprimeve për të parandaluar, për të konstatuar në kohë dhe për të goditur rastet e kultivimit të bimëve narkotike.
/r.e/























