KIEV, 25 mars /ATSH-ANSA-DPA/- Sulmi raketor i nisur këtë mëngjes në Kiev nga forcat ruse është një kujtesë se Ukraina ka nevojë urgjente për rritjen e mbrojtjes ajrore, veçanërisht per sistemet “Patriot” dhe raketat të afta për të zmbrapsur çdo sulm rus, tha ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba në X.
“Fëmijët e Kievit vrapojnë për t’u mbrojtur, ndërsa raketat balistike vdekjeprurëse ruse rrëzohen në kryeqytet nga mbrojtja ajrore”, tha Kuleba.
“Nuk ka mizori që bastardët rusë nuk do të kryenin, duke përfshirë tentativën për një sulm balistik në zemër të qytetit ku ndodhen miliona banorë”, theksoi ministri i Jashtëm ukrainas.
“Dronët ajrorë rusë goditën sot në mëngjes rrjetin elektrik të Ukrainës në rajonet e Odesës dhe Mykolaiv në jug të vendit”, njoftoi ushtria ukrainase.
Ndërprerjet e energjisë elektrike ndodhën në disa pjesë të Odesës dhe në brendësi të saj. Autoritetet e qytetit thanë se u detyruan të ndalonin shërbimet e tramvajit dhe autobusave elektrike. Nuk janë raportuar të vdekur. //a.i/























