Ballina Aktualitet

Nis me debate komisioni hetimor për “Sterilizimin”

TIRANË, 25 mars /ATSH/ Nën drejtimin e kryetares Albana Vokshi  u zhvillua sot mbledhja e parë e “Komisionit Hetimor të Kuvendit për Shërbimin Publik të Sterilizimit dhe Shërbimit Publik të Check-Up në Shëndetësi” në Kryesinë e Kuvendit.

Në pikën e parë të rendit të ditës së seancës së sotme ishte konstituimi i këtij Komisioni.

Mbledhja nisi me përplasje mes kryetares së Komiisonit, Albana Vokshi dhe zv/kryetarit Plarent Ndreca.

Vokshi këkroi nga deputetët e PS që të mos bëhen mburojë të korrupsionit.

“Uroj që të gjithë anëtarët e këtij komisioni të mos bëheni mburojë e këtij korrupsioni e të përdorni kartonat kundër interes publik, sepse me 200 milionë euro mund të ishin ndërtuar dhjetra spitale ultramodernë, qindra qendra qshëndetësore dhe dyfishuar pagat e mjekëve”, tha ajo.

Ndërsa Ndreca kërkoi që të mos paragjykohet puna e Komisionit si dhe të pritet vendimi i zbardhur i seancës plenare, përpara se të vijojë puna e komisionit.

Ndërsa deputetja e PD, Ina Zhupa akuzoi zv.kryetarin Plarent Ndreca se ka konflikt interesi në këtë komision.

Ndreca u shpreh se nuk ka konflikt interesi.

“Kam të gjithë kapacitetin profesional për ta vlerësuar vetë nëse kam ose jo konflikt interesi. Nëse do të ketë një të tillë, por siç e gjykoj unë nuk ka një tillë, sepse ato që janë objekt hetimi të prokurorisë dhe sot në dijeninë time kanë shkuar dhe kanë marrë edhe vendimin për mbylljen e hetimeve, nuk janë objekt i veprimtarisë së këtij komisioni”, tha Ndreca.

Kryetarja Albana Vokshi u shpreh se, të gjithë anëtarët duhet të firmosin një deklaratë për moskonfliktin e interesit me këtë komision.

Deputeti i PS, Klevis Xhoxhi, u shpreh se, “kjo mbledhje që duhet të ishte formale u kthye në propagandë partiake”.

Pas diskutimeve, Klevis Xhoxhi u zgjodh sekretar i “Komisionit Hetimor të Kuvendit për Shërbimin Publik të Sterilizimit dhe Shërbimit Publik të Check-Up në Shëndetësi”.
Më pas, kryetarja e Komisionit të Shëndetësisë, Albana Vokshi prezantoi planin paraprak të hetimit.

Vokshi tha se mes dëshmitarëve që do thirren për të dëshmuar lidhur me hetimin e dy koncesioneve, do jetë edhe Kryeministri Edi Rama, ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, ish-ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, aktualisht ministre e Arsimit dhe Sportit, ish-ministri i Financave, Shkëlqim Cani, ish-ministrja e Financave, aktualisht ministre e Bujqësisë, Anila Denaj, ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu, ish-zv.ministri i Shëndetësisë, Klodian Rjepaj etj.

Pyetja e dëshmitarëve sipas planit të veprimit të komisionit do jetë deri më datë 10 qershor.

Anëtarët të këtij komisioni janë Albana Vokshi, kryetare, Plarent Ndreca, zëvendëskryetar dhe anëtarët Klodiana Spahiu, Milva Ekonomi,  Ilirjan Pendavinji, Ilir Metaj, Edona Bilali,  Petro Koçi, Klevis Xhoxhi, Zheni Gjergji, Ina Zhupa,  Edmond Spaho, Saimir Korreshi, Xhelal Mziu dhe Petrit Vasili. Ndërsa anëtarë zëvendësues do të jenë Lavdrim Krashi, Mirela Pitushi, Emilia Koliqi dhe Ilda Dhori.

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKAJRO – Baerbock dhe Shoukry diskutojnë krizën humanitare në Gazë
Artikulli tjetërBeci: Rikonstruksion fasadave të pallateve në rrugën “Isuf Sokoli” në Shkodër