TIRANË, 21 mars/ATSH/ Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla shprehu sot ngushëllimet për ndarjen nga jeta të poetit të njohur, Mjeshtrit të Madh, Jorgo Papingji.
“Artisti poet Jorgo Papingji, Mjeshtër i Madh, autori i mijëra teksteve të këngëve shqiptare, bashkoi me tingujt muzikorë frymëzimet dhe ndjenjat e holla të bukurive të jetës dhe botës shqiptare. Disa breza jemi rritur me këngët e Mjeshtrit Papingji, kushtuar dashurisë, jetës, mallit, bukurisë, gëzimeve, vuajtjeve e dhimbjeve njerëzore, ëndrrave e dëshirave, natyrës, dhe natyrisht, atdheut. Mirënjohje për pasurinë e bukur që na le! U prehsh në paqe, Mjeshtër!”, u shpreh Nikolla.
Poeti Jorgo Papingji u nda pasditen e sotme nga jeta në moshën 82-vjeçare. Ai mbetet një nga personalitetet më të shquara të artit shqiptar si autor i teksteve të këngëve më të dashura për publikun./m.m/













