Ballina Aktualitet

Bllokoi foltoren e Kuvendit, Nikolla përjashton nga seanca Lulzim Bashën

TIRANË, 21 mars/ATSH/ Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha u përjashtua nga punimet e seancës plenare, pasi bllokoi foltoren.

Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla, pasi i kërkoi disa herë kreut të PD për të liruar foltoren, vendosi përjashtimin e tij nga seanca. “Lironi foltoren dhe sallën e Kuvendit”, u shpreh Nikolla.

Kreu i PD, Basha kërkoi fjalën për të diskutuar për procedurë, ndërsa prej një ore në Kuvend diskutohet për dakordësinë e arritur në Kryesinë e Kuvendit mes mazhorancës dhe grupit parlamentar të PD, ndaj të cilës Basha ka shprehur rezervat e tij.

Nikolla gjatë kohës që Basha ishte në foltore i kërkoi disa herë lirimin e saj dhe vijimin e punës në Kuvend me rendin e ditës. Por, Basha nuk iu bind kërkesës, e për pasojë, Nikolla vendosi përjashtimin nga seanca të kreut të Partisë Demokratike.

Pas përjashtimit të Lulzim Bashës, një grup deputetësh demokratë, mbështetës të tij, u larguan nga salla e Kuvendit në shenjë mosaprovimi.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKIEV – Pas sulmeve ruse, Zelensky i kërkon Perëndimit vullnet politik për të ndihmuar Ukrainën
Artikulli tjetërLibri “Sekretet e përpunimit të qumështit”, promovohet në Universitetin Bujqësor