Ballina Aktualitet

Rama: Të gjithë e dinë se halli i opozitës nuk ishin komisionet hetimore

TIRANË, 17 Mars/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste u shpreh sot, në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste në Durrës, se kundërshtarët politikë as nuk i zgjedhim ne dhe as nuk i ndryshojmë dot, por kemi në dorë vetëm t’u respektojmë të drejtat që u jep Kushtetuta dhe ligji.

“Ndaj edhe ato 2 komisione hetimore që u ra dakord të votohen brenda kornizës së përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese mund t’i kishin votuar me kohë e me vakt nëse nuk do të kishin kërkuar qorrazi jashtë asaj kornize”, tha Rama.

Ai shtoi se “u pa pastaj qartë, që s’kishte asnjë pazar, asnjë marrëveshje mes askujt për asgjë, përveç ripranimit të marrëveshjes së shkruar në Kushtetutë nga ata që u përpoqën ta marrin parlamentin peng, duke humbur logjikën në kërkim të së pamundurës”.

“Ajo marrëveshje thotë se shumica qeveris dhe pakica bën opozitë, me të drejta e detyra të përcaktuara në ligjet dhe në zakonet demokratike dhe  historia e këtyre dhjetë viteve e gjysëm, përfshirë edhe të ashtuquajturin aksion opozitar të muajve të fundit, me kërcënime muskulore e me flakadanë, duhet t’i mësojë njëherë e mirë të gjithë, se çfarë s’ia merr dot me zgjedhje të lira, Partisë Socialiste s’ia merr dot me asnjë formë abuzimi të lirisë.   Kundërshtarët politikë, as nuk i zgjedhim ne, as nuk i ndryshojmë dot ne, ne kemi në dorë vetëm t’u respektojmë të drejtat që u jep Kushtetuta e ligji, prandaj ato dy komisione hetimore që u ra dakord të votohen brenda kornizës së përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, mund t’i kishim votuar qëkur, nëse nuk do të ishin kërkuar qorrazi jashtë asaj kornize”, nënvizoi kreu i PS-së.

Sipas tij, “të gjithë e dinë se halli i tyre nuk ishin komisionet hetimore”.

“Prej kohësh tanimë unë personalisht i kursej, siç nuk kam bërë kurrë më parë, fjalët dhe kohën për të komentuar bëmat e taksiratet e tyre. Prandaj edhe sot nuk do të marr kohë e as harxhoj fjalë të tjera, për të shpjeguar si e kanë hallin, pse dolën nga shinat e pse u kthyen prapë në shina apo kush është kush në atë çorbë të prishur, ku të tërë vjellin në mexhelis lugët që kanë gëlltitur me vite duke ushqyer njëri-tjetrin”, shtoi Rama.

Kryeministri u shpreh se “kjo kohë e re e Shqipërisë nuk ka kohë për të humbur me hallet e tyre me drejtësinë dhe me vulat e humbura të tyre”.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakISLANDË – Gjendje e jashtëzakonshme pas shpërthimit të një vullkani
Artikulli tjetërRama: Të lëmë drejtësinë të bëjë punën e saj me çdo dru të shtrembër në radhët tona