Ballina Flash

Murati: Ekonomia e Kosovës është në rritje

PRISHTINË, 17 mars/ATSH/- Ministri i Financave, Hekuran Murati deklaron se ekonomia e vendit ka vazhduar rritjen në tremujorin e katërt gjatë vitit të kaluar.

Në një postim në rrjetet sociale, ministri shprehet se sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës për tremujorin e katërt 2023 rritja reale e ekonomisë ishte 3.96%.

“Në grafikun më poshtë mund të shihni edhe krahasimin e performancës ekonomike të vendit nëpër vite. Përderisa me qeveritë e kaluara për tri vjet ekonomisë i shtoheshin vetëm një miliard euro, me Qeverinë Kurti për periudhën e njëjtë ekonomisë i janë shtuar 2.9 miliardë euro apo mesatarisht gati një miliard në vit”, ka shkruar Murati.

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) Besnik Tahiri deklaroi dje se informatat e para të tremujorit të parë 2024 rreth qarkullimit të bizneseve në Kosovë, tregojnë se fuqia blerëse ka rënë nga 15%- 50%.

“Me qindra biznese të vogla gjithandej Kosovës, duke përfshirë dyqane, biznese të vogla të shitjes, kafiteri, restorante janë duke u mbyllur për shkak të mungesës së konsumit. Me mbylljen e bizneseve do të shkojmë drejt rritjes së papunësisë në Kosovë që ndikon në rritjen e varfërisë dhe uljen e nivelit të jetesës për qytetarët”, ka shkruar Tahiri në facebook.

Ai ka kritikuar Qeverinë Kurti, pasi me konfliktin e hapur me bashkësinë ndërkombëtare duke mbajtur Kosovën nën sanksione, dhe në mungesë të  investimeve të huaja, është duke e bankrotuar vendin, gjë e cila po i detyron të rinjtë t’ia mësyjnë migrimit. /KosovaPress/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSefa: Pazari i rinovuar i 2008-ës, goditje përfundimtare e ligjit të dekriminalizimit
Artikulli tjetërKOMENT – Putini gati të sundojë Rusinë edhe për gjashtë vite të tjera pas zgjedhjeve pa zgjedhje