Ballina Flash

Gonxhja: Asistencë ndërkombëtare për hartimin e ligjit për të drejtën e autorit

TIRANË, 15 mars /ATSH/ Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja priti sot në MEKI konsulentin ndërkombëtar Francesco Sciacchitano dhe Olga Allemann, nga Swiss Federal Institute for Intellectual Property, për projektin ALSIP.

Gonxhja theksoi se, “e drejta e autorit, si një pasuri e rëndësishme, po merr një vëmendje të veçantë, sot gjithmonë e më shumë, kur platformat online po shtrihen gjerësisht”.

“Për Shqipërinë është pjesë e detyrimeve që burojnë nga procesi i anëtarësimit, përafrimi i legjislacionit me Bashkimin Evropian në lidhje me të drejtën e autorit në fushën digjitale, përfshirë edhe rregullimin e platformave elektronike në këtë fushë, brenda vitit 2025”, nënvizoi ministri.

Me këtë reformë, shtoi Gonxhja, “Shqipëria edhe pse nuk është ende anëtare e Bashkimit Evropian, planifikon të jetë i pari vend në rajon që zbaton plotësisht direktivat dhe mbron të drejtat e autorëve në fushën digjitale, duke garantuar të ardhura të shtuara për ta, veçanërisht për artistët”.

“Me mbështetjen e projektit Shqiptaro – Sviceran ALSIP (Albanian – Swiss Intellectual Property) është siguruar asistencë me ekspertë ndërkombëtarë për hartimin e dispozitave të ligjit për të drejtën e autorit”, theksoi Gonxhja.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakJava e Parasë 2024, shpallen fituesit e konkurseve “Mbro paratë e tua, siguro të ardhmen tënde”
Artikulli tjetërVritet një person me armë zjarri në Larushk të Krujës