Ballina Bota

BERLIN – Scholz refuzon sërish të dërgojë raketa “Taurus” në Ukrainë

BERLIN, 13 mars /ATSH-DPA/- Kancelari gjerman, Olaf Scholz ka shprehur sërish kundërshtimin e tij të qartë për dërgimin e raketave me rreze të gjatë “Taurus” në Ukrainë.

Scholz është përballur me kritika të ashpra nga opozita konservatore pas refuzimit për t’i ofruar Ukrainës raketat, pavarësisht lutjeve të përsëritura të Kievit.

Scholz ka refuzuar sërish kërkesën e Kievit gjatë një debati sot në parlamentin gjerman, Bundestag, duke përmendur shqetësimin se sigurimi i armëve të avancuara mund ta çojë Gjermaninë drejtpërdrejt në një konflikt me Rusinë.

“Maturia nuk është diçka që mund të klasifikohet si dobësi, siç bëjnë disa, por përkundrazi maturia është ajo që u takon qytetarëve të këtij vendi,” tha socialdemokrati.

Sipas Scholz, furnizimi i forcave ukrainase me raketa “Taurus” do të kërkonte gjithashtu përfshirjen e ushtarëve gjermanë për të ndihmuar në përdorimin e tyre.

“Kjo është një vijë që unë si kancelar nuk dua ta kaloj”, theksoi Scholz.

Politikanët e opozitës, madje edhe disa anëtarë të koalicionit trepartiak të Scholz, e kanë vënë në dyshim këtë pretendim.

Blloku i opozitës së qendrës së djathtë CDU/CSU ka planifikuar nesër një votim për një rezolutë që kërkon që qeveria e Scholz t’i japë Ukrainës raketat “Taurus”. //a.i/

 

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRama: Rikonstruksion total i shkollës 9-vjeçare “14 Nëntori” në Durrës
Artikulli tjetërBalla në Vlorë: Kryeqytet i turizmit, angazhim i të gjithëve për pastrimin e territorit