Ballina Aktualitet

Bardhi: 2 komisione hetimore këtë sesion parlamentar, i qëndrojmë dakordësisë

TIRANË 13 mars/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, në një deklaratë për mediet, tha sot se Partia Demokratike i qëndron dakordësisë së arritur në Konferencën e Kryetarëve në lidhje me ngritjen e komisioneve hetimore dhe nënkomisionit të reformave.

Bardhi pas mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Demokratike tha se ka pasur dhe ndonjë zë kundër dakordësisë, por shumica e grupit parlamentar ka pasur qëndrim pozitiv dhe i qëndron dakordësisë.

“Grupi sot ka mbështetur qëndrimin që përfaqësuesit e vet, duke nisur nga kryetari i grupit parlamentar dhe secili prej anëtarëve të tjerë përfaqësues të opozitës ka mbajtur në konferencën e kryetarëve”, tha Bardhi.

Lidhur me qëndrimet e Salianjit, Bardhi preferoi të mos japë përgjigje. “Secili është i lirë të shprehë mendimin e tij. Salianji ka shprehur mendimet e tij edhe në mbledhjen e grupit dhe s’kam asnjë koment në këtë drejtim. Grupi parlamentar i PD, me ndonjë zë brenda tij kundër, ka mbështetur dakordësinë në parim për atë marrëveshje në parim të shprehur në mbledhje nga kryetarët e grupeve parlamentare të opozitës”, tha Bardhi.

I pyetur nga mediet mbi shtyrjen e mbledhjes së parashikuar për sot të Konferencës së Kryetarëve në Kuvend, ku pritej materializimi i dakordësisë së arritur të martën, Bardhi tha se po punohet që dakordësia e arritur në parim të përkthehet në vendimmarrje.

“Jemi duke punuar për të tre çështjet që diskutuam dhe ramë dakord dje në parim. Urojmë që kjo të finalizohet me vendimmarrje të Kuvendit. Po punojmë”, theksoi Bardhi.

“Nëse finalizohet dakordësia, miratohen tre vendimet. Nëse nuk do të finalizohet do ju japim arsyet. Ne i qëndrojmë dakordësisë së dhënë dje. Edhe për nënkomisionin po punohet. Proceset e reformave duhet të jenë gjithëpërfshirëse. Opozita përcaktohet me atë që vetë ajo e përcakton se kush është opozita, ashtu si dhe mazhoranca nga krahu tjetër përcakton vetë se cila është mazhoranca”, tha Bardhi.

Ai nënvizoi se nënkomisioni që do të ngrihet nuk do të prekë ligjet e reformës në drejtësi, por do të jetë tryezë diskutimi për të gjitha ligjet e tjera që lipsin votën e shumicës së cilësuar.

“Nënkomisioni është për çdo ligj që kërkon 3/5-at e votave. Ka pasur lajme fake, që sikur pjesë e këtij komisioni do jenë dhe ligjet e reformës në drejtësi, por kjo nuk është e vërtetë. Edhe për këtë nënkomision, pasi ngrihet me votat e Kuvendit, zbatohet rregullorja e Kuvendit të Shqipërisë”, tha Bardhi.

I pyetur mbi praninë e deputetëve të Bashës në nënkomision Bardhi tha: “E para se di sa deputetë i kanë ngelur pas vetes Bashës. Se kush përfaqëson opozitën në strukturat brenda Kuvendit e përcakton grupi parlamentar i PD. Por, nuk jemi ende në atë fazë. E rikonfirmoj që Bylykbashi do të jetë një anëtar. Anëtarin e dytë do ta konfirmojë grupi parlamentar i PD”, tha Bardhi.

Kreu i grupit parlamentar të PD në fund tha se marrëveshje me Ramën nuk ka.

“S’ka marrëveshje me Edi Ramën, ka një dialog në konferencën e kryetarëve dhe me institucionet brenda Kuvendit për t’i dhënë zgjidhje situatës në Kuvend. Situatë e cila nuk është shkaktuar për shkak të opozitës. Por për shkak se nuk plotësoheshin ato të drejta kushtetuese që opozita ka. Është gjetur një dakordësi mes palëve në konferencën e kryetarëve. Kryeministrin e ftoj të numërojë hapat edhe njëherë pasi do të eci me hapa pas 3,2,1 dhe më pas do dalë ai tre hapa pas”, tha Bardhi.

“Do vazhojmë t’i kërkojmë llogari Kryeministrit. Kryeministri do të vijojë të hetohet në parlament, ashtu siç është nën hetim nga drejtësia për çështje të caktuara. Është kundërshtari politik i PD”, tha Bardhi.

Lidhur me komisionet e tjera hetimore të kërkuara nga Partia Demokratike, Bardhi la të kuptohet se do të kërkohet ngritja e tyre në sesionet e ardhshme parlamentare.

“Nuk jemi tërhequr nga asnjë komision hetimor. Për këtë sesion parlamentar ka dy komisione hetimore. Nesër për McGonigal do dorëzoj kallëzim tjetër në SPAK me dokumente shtesë. Kam vendosur të ndjek rrugën institucionale në këtë drejtim”, përfundoi Bardhi.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSTRASBURG – Bashkimi Evropian miraton ligjin për Lirinë e Medias
Artikulli tjetërPërurohet godina e re në Qytetin Studenti, Veliaj: Punimet me standarde evropiane