TIRANË, 22 shkurt/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha mori pjesë mbrëmjen e sotme në kuvendin zgjedhor të degës 9 në kryeqytet, prej nga foli për qëndrimet e qarta për dhe në mbështetje të Drejtësisë, që sipas tij, mban kjo parti.
“Mbështetje SPAK-ut për të hetuar pushtetarët e korruptuar dhe për t’i vendosur ata para ligjit. Jo, amnistisë për zyrtarët e korruptuar, po amnistisë për qytetarët e goditur në kufijtë dhe zgripet e pamundësive. Jo atyre të cilët kanë abuzuar me pasuritë dhe pronat e shqiptarëve, po protestuesve që kanë protestuar për shtëpitë e tyre nga Bregu i Lumit këtu në zonën tuaj, deri në Astir. Nga Shkoza e anembanë Shqipërisë”, iu drejtua Basha anëtarëve të kuvendit.
Sipas Bashës, përballja me Edi Ramën dhe qeverinë e tij kërkon kurajo, qartësi e vendosmëri.
“Ndaj jemi këtu për t’i thënë Po vetingut të politikanëve, kontrollit të figurës të tyre dhe lidhjeve të papërshtatshme dhe pasurisë së tyre dhe nxjerrjen jashtë politikës të çdokujt që nuk e kalon testin e vetingut të politikanëve. Jemi këtu për t’i thënë jo imunitetit të deputetëve”, vuri në dukje ai.
Basha u ndal edhe tek Reforma Zgjedhore, duke theksuar se PD është pro listave të hapura, në mënyrë që ata që shqiptarët dëshirojnë t’i kenë në parlament dhe i votojnë t’i kenë në parlament.
“Dhe jo listat e caktuara nga kryetarët e partive sipas pakteve që i kushtuan shqiptarëve ndryshimet famëkeqe të 2008-ës me anë të së cilës u asgjësua e drejta e qytetarëve për të çuar drejtpërsëdrejti dhe për të marrë dhe për të dhënë llogari tek përfaqësuesit e tyre në Kuvendin e Shqipërisë”, u shpreh Basha.






















