TIRANË, 21 shkurt /ATSH/ Në Selenicë të Vlorës u përkujtua sot 81-vjetori i “Aksionit të Selenicës”, ditës kur në 21 shkurtin e vitit 1943 forcat partizane të Çetës “Plakë” të Vlorës dhe Çetës “Plakë” të Mallakastrës, në bashkëpunim me banorët vendas çliruan Minierën e Bitumit të pushtuar nga fashistët italianë.
Bashkia e Selenicës në bashkëpunim me Organizatën e Veteranëve të qytetit si dhe familjet e dëshmorëve organizuan pranë lapidarit të dëshmorëve në sheshin e qytetit një aktivitet të posaçëm me karakter historiko-letrar ku krahas fjalëve me tematikë historike u deklamuan edhe materiale letrare nga nxënësit e shkollave të qytetit.
Pranë lapidarit u vendosën kurora dhe tufa me lule nga autoritetet e pranishme si dhe përfaqësues të Komitetit të veteranëve e familjeve të dëshmorëve.
Vendosën kurora dhe përshëndetën të pranishmit kryetari i Bashkisë së Selenicës, Nertil Bellaj, Prefekti i Qarkut të Vlorës, Flamur Mamaj, deputeti i zonës Vullnet Sinaj e të tjerë.
“Aksioni i Selenicës” konsiderohet si një nga betejat e para të zhvilluara në këtë zonë e cila u kthye në një akt frymëzimi e mobilizimi për të gjithë lëvizjen Nacional-Çlirimtare të rrethit.
21 shkurti i këtij viti inkuadrohet në vitin e 80-të të Çlirimit të Atdheut dhe si e tillë nga Bashkia e Selenicës u mendua të konsiderohet si një memorie për të kujtuar me të gjitha nderimet e merituara të gjitha datat, ngjarjet historike apo simbolikat e Luftës Nacional-Çlirimtare të ndodhura në territorin e Bashkisë së Selenicës.
Kryetari i Bashkisë, Bellaj në fjalën e tij shprehu angazhimin që pikërisht në funksion të vitit të 80 vjetorit të Çlirimit, bashkia që ai drejton të ndihmojë Organizatat e Veteranëve dhe Familjet e Dëshmorëve në mënyrë që gjatë këtij viti deri në 29 Nëntor në secilën Njësi Administrative të ndodhin ceremoni nderimi për dëshmorët pranë lapidarëve e vendeve ku kanë ndodhur beteja të cilat janë shënuar në histori duke mbetur në memorien popullore të fshatrave e krahinës.













