TIRANË, 21 shkurt /ATSH/ Grupi i Deputetëve “Miqtë e fëmijëve” në bashkëpunim me CRCA, zhvilluan ditën e sotme në ambientet e Kryesisë së Kuvendit një aktivitet në kuadër të muajit të sigurisë kibernetike.
Në këtë takim ku u diskutua për mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve nga çdo formë e dhunës online, ishin të pranishëm zëvendëskryetaret e grupit të deputetëve “Miqtë e Fëmijëve”, Dasantila Tahiraj, Erisa Xhixho, Ina Zhupa, deputeti Petrit Vasili dhe përfaqësues nga Ministria e Brendshme, Ministria e Arsimit, Policia e Shtetit dhe Ministria e Kulturës dhe Inovacionit.
Drejtori i Përgjithshëm i CRCA, Altin Hazizaj, gjatë fjalës së tij në nisje të takimit, u shpreh se mbetet problematike gjuha e urrejtjes, ngacmimet seksuale dhe kërcënimet në rrjetet sociale në vendin tonë.
Hazizaj nënvizoi se, është i domosdoshëm ndërgjegjësimi në lidhje me këtë çështje pasi shkaktohen ngjarje të ndryshme të cilat dëmtojnë fëmijët.
Zëvendëskryetarja e Grupit të Deputetëve “Miqtë e Fëmijëve”, Erisa Xhixho, u shpreh se, portali Siguria.al është një mundësi e mirë për fëmijët, prindërit dhe çdo qytetar për të denoncuar lidhur me këto raste.
“Bullizmi fillon online dhe më pas fizikisht në shkolla. Padyshim që rastet e dhunës online kanë sjellë ngjarje mjaft të rënda. Do të duhet të marrim përgjegjësinë për rregullimin e legjislacionit”, u shpreh Xhixho, e cila bëri me dije se do të propozojnë shtesa në disa nene për të forcuar legjislacionin.
Rozalba Meidani, përgjegjëse e Sektorit të Politikave të Arsimit Parauniversitar, u shpreh se, Ministria e Arsimit nënvizoi se prej 10 vitesh institucionet arsimore janë të përfshira në një platformë kundër dhunës, e cila quhet “Stop dhunës në shkolla”.
“Në kuadër të kësaj politike të ndërmarrë prej vitesh, institucionet arsimore kanë patur një mekanizëm të ngritur për identifikimin, raportimin dhe trajtimin e rasteve të dhunës. Dhuna kibernetike kërkon një trajtim tjetër pasi është bërë mjaft shqetësuese”, u shpreh Meidani.
Zëvendëskryetarja e Grupit të Deputetëve “Miqtë e Fëmijëve”, Ina Zhupa, u shpreh se, institucionet duhet të shtojnë monitorimet dhe të marrin masa konkrete për të mbrojtur të miturit nga sulmet dhe abuzimet e ndryshme.
“Duhet të bashkëpunojmë me institucionet për të përmirësuar legjislacionin tonë sidomos për dhunën kibernetike”, nënvizoi Zhupa.
Zëvendësministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar në lidhje me ndërmarrjen e disa nismave ku mund të raportohen rastet e dhunës online.
Më tej aktiviteti vijoi me diskutime mes anëtarëve të grupit “Miqtë e Fëmijëve” dhe përfaqësuesve të institucioneve shtetërore të cilët kanë në fokus përmirësimin e legjislacionit dhe marrjen e masave për parandalimin e çdo forme të dhunës online.























