KIEV, 20 shkurt /ATSH-DPA/- Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky vizitoi dje trupat pranë frontit lindor.
Zelensky theksoi se situata në vijën e frontit mbetej “jashtëzakonisht e vështirë”.
“Jam i lumtur që jam këtu sot dhe që ju shoh”, tha ai ndërsa u dorëzonte medalje trupave luftarake, gjatë një ceremonie në një post-komandë pranë qytetit të Kupiansk, në rajonin e goditur nga lufta, Kharkiv.
Në fjalimin e tij dje në mbrëmje, Zelensky e përshkroi situatën si jashtëzakonisht të vështirë në disa pjesë të vijës së frontit, ku trupat ruse kanë grumbulluar rezerva maksimale.
Zelensky gjithashtu u ankua për mungesën e artilerisë si dhe mbrojtjen ajrore të vijës së parë dhe për armë me rreze më të gjatë veprimi.
“Ne po punojmë me partnerët tanë sa më shumë që të jetë e mundur për të rifilluar dhe zgjeruar mbështetjen financiare”, shtoi ai.
Forcat e Ukrainës në fundjavë u tërhoqën nga Avdiivka, një qytet në rajonin e Donestkut që ishte kontestuar ashpër.
“Ushtarët rusë kanë qëlluar për vdekje disa ukrainas të plagosur rëndë pasi pushtuan Avdiivka, pavarësisht se kishin renë dakord për evakuimin e tyre”, thanë forcat ukrainase të hënën.
Prokurori publik ukrainas njoftoi të dielën se kishte nisur hetimet për krime lufte dhe vrasje pasi gjashtë ushtarë të plagosur rëndë u qëlluan për vdekje nga ushtria ruse.
Ushtria ruse mori kontrollin e Avdiivka të shtunën, pas disa muajsh përpjekjesh të dështuara.
Në një përpjekje për të marrë mbështetjen e partnerëve evropianë, Zelensky vizitoi udhëheqësit në Paris dhe Berlin të premten.
Më pas, ai mori pjesë në Konferencën e Sigurisë së Mynihut, një takim vjetor i vendimmarrësve të rangut të lartë, ku u takua me zëvendëspresidenten e SHBA-së, Kamala Harris dhe i bëri thirrje Kongresit amerikan të miratojë paketën e ndihmës ushtarake për Ukrainën tashmë të bllokuar./ /a.i/






















