TIRANË, 20 shkurt/ATSH/ Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka publikuar në rrjetet sociale pamje të operacioneve policore “Tempulli 2” dhe “Sundimi i Ligjit”, ndërsa thekson se lufta ndaj pandëshkueshmërisë ka shënuar rezultate të dukshme.
Balla në reagimin e tij nxit Policinë e Shtetit të forcojë kontrollin në territor dhe parandalojë ngjarjet kriminale.
“Policia e Shtetit po vijon zbatimin e Operacioneve Kombëtare “Tempulli 2” dhe “Sundimi i ligjit”. Lufta kundër shpërndarjes së lëndëve narkotike, kundër armëmbajtjes pa leje dhe kundër pandëshkueshmërisë ka shënuar rezultate të dukshme në disa qarqe gjatë 24 orëve të fundit”, tha Balla.
“Janë identifikuar dhe vendosur para drejtësisë persona në kërkim ndërkombëtar/kombëtar, janë sekuestruar armë zjarri dhe municion luftarak, janë ndaluar persona të përfshirë në shpërndarje lëndësh narkotike dhe në organizim lojëra fati të paligjshme. Nxis Policinë e Shtetit të forcojë kontrollin në territor dhe parandalojë ngjarjet kriminale”, nënvizon Balla.
/r.e/






















