Ballina Flash

Futsall, Flamurtari fiton Kupën e Shqipërisë

TIRANË, 19 shkurt/ATSH/ Flamurtari arriti të fitonte Kupën e Shqipërisë në futsall pasi mundi në finalen e madhe Partizanin me rezultatin 9-7.

Ndeshja e cila u luajt në kompleksin Goga në Durrës prodhoi emocione të shumta, teksa të pranishëm ishin edhe një numër i konsiderueshëm tifozësh që ndoqën nga afër finalen e Kupës së Shqipërisë në futsall. Ndeshja dhuroi momente mjaft të bukura, teksa gjithçka u vendos vetëm në fundin e takimit.

Flamurtari realizoi golin e parë që në startin e ndeshjes, ndërsa Partizani bëri gjithçka mirë në pjesën e parë dhe shënoi tre gola. Edhe fraksioni i dytë nisi më mirë për të kuqtë, teksa realizua edhe dy gola të tjerë, për ta çuar rezultatin në shifrat 5-1.

Më pas ishte momenti i Flamurtarit që arriti të përmbyste gjithçka. Në fund vlonjatët triumfuan me rezultatin 9-7 dhe siguruan trofeun e parë sezonal në futsall.

Pas përfundimit të finales u organizua edhe ceremonia për dorëzimin e medaljeve dhe trofeut. Të pranishëm ishin specialistët e futbollit amator në FSHF, Igli Mumajesi dhe Rigers Dushku që i dorëzuan medaljet dhe trofeun ekipit fitues, Flamurtari Futsal.

Pas Kupës së Shqipërisë, tashmë skuadrat do të jenë të fokusuar në Kampionatin Kombëtar të futsallit, që është edhe turneu më i rëndësishëm.

Java e shtatë e Kampionatit të futsallës rezervon këto përballje, Flamurtari-Tirana dhe Partizani-Vllaznia.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakEkstradohen nga Italia dhe Greqia 5 shtetas në kërkim
Artikulli tjetërRAMALLAH – Shtayyeh: Gazës i duhet një Plan Marshall ​