TIRANË, 16 shkurt/ATSH/ Policia Rrugore e Shkodrës ndodhet në terren duke monitoruar pandërprerë akset rrugore në qendrat e qyteve, por jo vetëm, me pajisje të logjistikës bashkëkohore, të loguara dhe të paloguara, me qëllim evidentimin e shkeljeve që janë burim aksidenti, si edhe parkimet e gabura që bëhen pengesë për qarkullimin në qytet.
Ditët e fundit, kontrollet janë përqendruar në evidentimin e automjeteve me xhama të errësuar dhe ndëshkimin e drejtuesve që i vënë këto xhama, në kundërshtim me rregullat.
Si rezultat i kontrolleve, gjatë 2 javëve, janë arrestuar 9 shtetas dhe ka nisur procedimi në gjendje të lirë për 16 të tjerë, për veprën penale “Drejtimi i mjeteve në mënyrë të parregullt”.
Gjithashtu, Policia e Shkodrës njoftoi se si rezultat i monitorimit të akseve rrugore të qarkut, me shërbime të shtuara dhe me pajisje të logjistikës bashkëkohore, janë ndëshkuar administrativisht në total 2662 drejtues mjetesh.
Janë ndëshkuar 70 drejtues mjetesh, për përdorim të xhamave të erresuar; 1099 drejtues mjetesh, për tejkalim shpejtësie; 180 drejtues mjetesh, për parakalime të gabuara; 51 drejtues mjetesh, për përdorim të celularit, gjatë drejtimit të mjetit; 60 drejtues motomjetesh, për mosvendosje të kaskës mbrojtëse; 83 drejtues automjetesh, për mosvendosjen e rripit të sigurimit; 676 drejtues mjetesh, për shkelje të ndryshme; 443 drejtues automjetesh, për ndalim ose pushim të automjetit, në kundërshtim me sinjalistikën rrugore.
Kontrollet e shtuara nga Policia do të vijojnë, në të gjitha akset rrugore urbane, interurbane dhe rurale, si edhe duke përdorur të gjitha mjetet bashkohore logjistike, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.












