Ballina Aktualitet

Berisha: Blinken takoi vetëm përfaqësuesit e një partie

TIRANË, 15 shkurt/ATSH/ Kryetari i Komisionit të Rithemelimit të Partisë Demokratike, Sali Berisha tha sot se “për herë të parë në një vizitë zyrtare, një Sekretar Shteti takon vetëm përfaqësues të një partie: Presidentin, Lali Vjedhësin, Edi Ramën, Altin Dumanin, Sokol Sadushin dhe me radhë”.

Gjatë fjalës drejtuar mbështetësve të mbledhur poshtë banesës së tij, Berisha tha se, “shfrytëzoj këtë rast për të garantuar qeverinë e SHBA, presidentin e vendit, se PD, forca politike që përmbysi komunizmin, forca politike që u bë promotor kryesor i marrëdhënieve miqësore mes Shqipërisë dhe SHBA dhe vendeve perëndimore, e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, ka qenë dhe mbetet e vendosur gjithnjë për të vazhduar në këtë rrugë bashkëpunimi miqësie në kuadrin e NATO-s dhe në kuadrin bilateral”.

“Asgjë nuk lëkund qëndrimet tona, qëndrimi ynë properëndimor buron nga vokacioni perëndimor i kombit shqiptar”, tha Berisha.

Berisha theksoi se “asgjë nuk mund të na shmangë ne, asgjë nuk do na pengojë ne pa rivendosur pluralizmin, votën e lirë, pa shpëtuar Shqipërinë nga regjimi i narkomafies”.

Gjatë fjalës së mbajtur në tubimin qytetar, Sali Berisha ka përshëndetur edhe banorët e Himarës për protestat e tyre.

Berisha i ka bërë thirrje edhe Komisionit Europian që të reagojë për çështjen Beleri.

“I bëj thirrje Komisionit Europian, të ndalet në një moment, sepse çështja Beleri është çështje e parimeve universale të të drejtave të njeriut. Prezumimi i pafajësisë, e drejta e shtetasve pavarësisht nga besimi fetar, pavarësisht nga raca, pavarësisht nga etnia, për t’u zgjedhur në vendin e tyre është një e drejtë universale që nuk mund të shkelmohet në asnjë vend që pretendon të ecë drejt Bashkimit Europian”, nënvizoi Berisha.

Berisha tha se “më shumë se kurrë duhet të ngrihemi në 20 shkurt, t’i presim biletën regjimit më të urryer që shqiptarët kanë njohur pas diktaturës së Enver Hoxhës”.

/k.s/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKonflikti Izrael-Palestinë, Blinken: Është e mundur një marrëveshje për lirimin e pengjeve
Artikulli tjetërKonferenca e plotë për shtyp e Kryeministrit Edi Rama dhe Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken