TIRANË, 5 shkurt/ATSH/ Sekretari i Përgjithshëm i Rithemelimit në Partinë Demokratike, Flamur Noka u shpreh sot pas mbledhjes së grupit parlamentar të kësaj partie se u diskutua për situatën pas deklaratave të ish-zëvendëskryeministrit Ahmetaj, që sipas tij janë alarm i madh.
Sipas Nokës, grupi parlamentar po ashtu ka diskutuar situatën e rënduar në Kuvend. “Përjashtimi i vazhdueshëm i deputetëve, dhe kryesisht përjashtimi i 19 deputetëve në seancën e fundit, tregon qasjen armiqësore të Edi Ramës ndaj opozitës”, tha ai për gazetarët.
Për këtë arsye, vijoi Noka, Rithemelimi ka thirrur protestë pasditen e sotme.
“Sot në protestë do jenë të gjithë demokratët, do të jenë të gjithë deputetët që janë të përjashtuar. Ne, që momentalisht nuk jemi akoma të përjashtuar, do jemi brenda duke zhvilluar beteja. Pra sot do shihni dy beteja sot, një betejë brenda në parlament dhe një jashtë”, tha ai.
/r.e/























