TIRANË, 5 shkurt/ATSH/ Kryetari i grupit të Rithemelimit në Partinë Demokratike, Sali Berisha paralajmëroi sot protestën e radhës në 20 shkurt.
Berisha iu drejtua sërish mbrëmjen e sotme mbështetësve të cilët ndodhen poshtë banesës së tij, ku ai qëndron në arrest shtëpie me vendim të GJKKO.
Ai u shpreh se kjo është betejë e triumfit, e atyre që e duan Shqipërinë në Europë.
“Ka vetëm një rrugë drejt fitores, betejë pa kthim, mosbindje civile. Më 20 shkurt, Shqipëria në Tiranë në ditën antitirani, kundër dhunimit të votës, për dinjitetin e Shqipërisë, për dinjitetin e shqiptarëve”, tha ai.
Berisha tha se “beteja do të jetë shembja e ngrehinave të krimit”.
Për herë të parë Gazment Bardhi iu bashkua këtë të hënë protestës së Rithemelimit duke shkuar poshtë shtëpisë së Sali Berishës, ku ndodhet në arrest shtëpie për dosjen “Partizani”.
/m.m/r.e/












