Ballina Flash

Shkolla Kombëtare e Bibliotekonomisë, vizitë në mjediset e Qendrës “Sotir Kolea”

TIRANË, 31 janar/ATSH/ Në kuadër të zhvillimit të programit profesional të Shkollës Kombëtare të Bibliotekonomisë, specialistët e bibliotekave që ndjekin këtë program zhvilluan një vizitë në mjediset e rikonstruktuara dhe të rikonceptuara të Qendrës “Sotir Kolea”.

Specialistët e bibliotekave zgjeruan njohuritë e tyre dhe morën informacion mbi konceptimin e një biblioteke me qasje të lirë, si nga këndvështrimi i projektimit dhe planifikimit të hapësirave të bibliotekës, po ashtu edhe nga mënyra e organizimit të koleksioneve dhe vlerat që ato bartin.

Kujdesi, ruajtja, mirëmbajtja dhe konservimi i koleksioneve bibliotekare ishte një temë tjetër me interes që u trajtua nga specialistet e restaurimit dhe të mirëmbajtjes së materialeve bibliotekare.

Po ashtu ndjekësit e shkollës morën informacion dhe ndoqën nga afër procedurat praktike për restaurimin e këtyre materialeve, apo krijimin e koleksioneve të gazetave dhe të revistave përmes mjeteve dhe teknikave të ndryshme të libërlidhjes, si dhe pajisjeve të teknologjisë moderne me të cilat është pasuruar laboratori i restaurimit dhe sektori teknik i libërlidhjes.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakEkstradohen 2 shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar
Artikulli tjetërDenaj: Strategjia kombëtare e agroturizmit, zhvillim i integruar dhe punësim cilësor