TIRANË, 18 janar/ATSH/ Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një vizitë në Kloster Banz në Bavari të Gjermanisë, ku mori pjesë në takimin tradicional të fillimvitit të Unionit Social-Kristian (CSU) me ftesë të Kryeministrit të Bavarisë, Markus Söder.
Kryeministri Rama ndau në rrjetet sociale momente nga takimi me kryeministrin bavarez, Markus Söder, dhe kryetarin e grupit parlamentar të CSU për Bavarinë, Klaus Holetschek, të cilën e cilësoi “Foton e ditës”.
Rama adresoi Shqipërinë si një shembull suksesi në rajon dhe u ndal te forcimi i marrëdhënieve bilaterale me Gjermaninë, e me Bavarinë posaçërisht, përmes bashkëpunimit politik, ekonomik, tregtar e kulturor.
Në konferencën e përbashkët për shtyp, Kryeministri Rama foli për sfidën e adresimit të emigracionit të paligjshëm ndërsa u shpreh se “emigracioni i paligjshëm kërkon reagim të përbashkët nga e gjithë familja e BE-së”. /m.m/






















