Ballina Aktualitet

Gërvalla: Bashkësia ndërkombëtare të ndëshkojë ashpër çdo tentativë për të destabilizuar vendet fqinje

PRISHTINË, 16 janar/ATSH/ Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvlla kërkoi sërish nga bashkësia ndërkombëtare që të dënojë Serbinë për aktin e agresionit ndaj Kosovës, më 24 shtator të vitit 2023.

Kryediplomatja kosovare pas takimit me homologun Igli Hasani, tha se në një konferencë për mediet se Kosova dhe Shqipëria duhet të kenë unifikim, koordinim dhe bashkëveprim të politikës së jashtme.

Ministrja Gërvalla u shpreh se bashkësia ndërkombëtare nuk duhet të qëndrojë e heshtur, por të ndëshkojnë ashpër çdo tentativë për të destabilizuar vendet fqinje.

“Duhet të mbetemi vigjilent, krimi i organizuar së bashku me strukturat e ardhura nga Serbia, edhe gjatë vitit 20245 do të vazhdojnë të përpiqen të destabilizojnë vendin tonë”, tha ajo, teksa tregoi edhe për çfarë ranë dakord me ministrin Hasani.

“U dakorduam që bashkarisht të angazhohemi në informimin dhe sensibilizimin e organizatave ndërkombëtare të të drejtave të njeriut rreth arrestimit të qytetarëve të Kosovës nga Serbia dhe lobimin tonë për lirimin e tyre”, u shpreh Gërvalla.

“Shqipëria do të luajë rol më proaktiv në të gjitha temat e sigurisë dhe paqes në rajon. E falënderoj për kontributin e jashtëzakonshëm të paqes gjatë drejtimit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së”, u shpreh Gërvalla.

“Ramë dakord për shkëmbimin e diplomatëve të rinj, për marrjen e praktikave më të mira të diplomacisë bashkëkohore europiane, rritjen e bashkëpunimit dhe bashkëveprimeve të përbashkëta, fuqizimin e diplomacisë.

Kemi një mërgatë të përbashkët, të dy shtetet tona duhet ta ndjejnë përgjegjësi të veçantë përkujdesjen ndaj qytetarëve e tanë që jetojnë jashtë vendit”, tha Gërvalla.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakHasani: Dakordësi për shtimin e përfaqësimit të përbashkët diplomatik me Kosovën
Artikulli tjetërHasani në Prishtinë: Shqipëria e Kosova, në zemër të përpjekjes për perspektivën euroatlantike të rajonit