Ballina Flash

Prioritetet e Kulturës, viti 2024 me buxhet 14% më të lartë se 2023

TIRANË, 1 janar/ATSH/ Prioriteti kryesor në fushën e artit dhe kultures per vitin 2024 mbetet intensifikimi i përpjekjeve për zbatimin dhe realizimin e objektivave të parashikuara në “Strategjinë Kombëtare të Kulturës 2019-2025”.

Buxheti i vitit 2024 për kulturën pritet të jetë 14% më i lartë krahasuar me vitin 2023. Rritja e buxhetit do të jetë më e madhe në zërin e pagave me +29% krahasuar me 2023, ndërsa investimet 30% më shumë.

Në 2024 do të çohen përpara projekte tepër ambicioze që nga restaurimi dhe rikonceptimi i Muzeut Historik Kombëtar, te Muzeu “Besa”, gërmimi i amfiteatrit të Durrësit dhe rehabilitimi i zonës arkeologjike përreth, restaurimi i Teatrit “Aleksandër Moisiu”, rehabilitimi i objekteve dhe ambienteve të Burgut të Spaçit e shumë të tjera. Duke mos u lënë mënjanë edhe mbështetja financiare e skenës së pavarur.

Prioritet mbetet përmirësimi dhe zgjerimi i tregut kulturor nëpërmjet një legjislacioni në dobi të krijuesve, krijimtarisë artistike e kulturore dhe trashëgimisë kulturore, si dhe hartimi i paketës së re të skemës se mbështetjes së projekteve të Ministrisë të Kulturës; Ruajtja dhe mbrojtja e trashëgimisë kulturore materiale dhe jomateriale–pasuri kombëtare e popullit shqiptar në breza; Mbështetja e krijimtarisë dhe aktivitetit krijues të artistëve shqiptarë përmes rritjes së aktiviteteve kulturore dhe përfshirjes së artistëve; Promovimi dhe përfaqësimi i vlerave të artit dhe trashëgimisë kulturore shqiptare, materiale dhe shpirtërore në evenimentet e rëndësishme ndërkombëtare.

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak60 qendra shëndetësore dhe ambulanca do të rikonstruktohen në vitin 2024
Artikulli tjetërJAPONI – Një tërmet 7,4 ballë godet qendrën e vendit, alarm për cunami