TIRANË, 29 dhjetor/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi shpërblimin e punonjësve të qeverisjes qendrore në procesin e shqyrtimit analitik të Acquis (procesi screening), në kuadër të procesit të negociatave me Bashkimin Europian.
Qeveria vendosi shpërblimin për paraqitje të mirë të Republikës së Shqipërisë në procesin e shqyrtimit analitik të acquis (screening), në kuadër të procesit të negociatave me Bashkimin Evropian, zhvilluar midis datave 15 shtator 2022 deri më 24 nëntor 2023, të punonjësve organikë të njësive të qeverisjes qendrore, të cilët janë aktualisht në marrëdhënie pune në njësitë e qeverisjes qendrore.
Përfitues nga ky vendim janë Ministri i Shtetit dhe Kryenegociator dhe negociatorët, që kanë qenë në këtë pozicion përgjatë periudhës së parashikuar në këtë vendim.
Po ashtu, përfitojnë edhe personat të cilët kanë marrë pjesë fizikisht në takimet dypalëshe për shqyrtimin analitik të acquis (Screening), në kuadër të procesit të negociatave me Bashkimin Evropian, në Bruksel; si dhe prezantuesit dhe mbështetësit online, sipas agjendave zyrtare dërguar shërbimeve të Komisionit Evropian të takimeve dypalëshe për shqyrtimin analitik të acquis.
Përfitues janë edhe kontribuesit në përgatitjen përmbajtësore të takimeve dypalëshe për shqyrtimin analitik të acquis (Screening) për negociatat me Bashkimin Evropian.
Po ashtu përfitojnë sekretariatet e grupeve ndërinstitucionale të punës për integrimin evropian (GNPIE) të Kryeministrit; punonjësit e Departamentit të Politikës dhe Integrimit Evropian, në Kryeministri, si edhe të kabinetit të ministrit të Shtetit dhe Kryenegociator; Ambasadori dhe personeli diplomatik i Misionit të Përhershëm të Republikës së Shqipërisë pranë Bashkimit Evropian, në Bruksel.
Masa e shpërblimit do të jetë një pagë mujore bruto, sipas pagës që nëpunësit përfitues, por jo më shumë se paga e funksionit Ministër Shteti dhe Kryenegociator, dhe për një shpërblim të vetëm./m.m/























