Ballina Flash

Kumbaro: Taskforcë e dedikuar për ujërat e ndotura që shkarkohen në ujërat larës

TIRANË, 28 dhjetor/ATSH/ Qeveria shqiptare nëpërmjet një akti normativ ka vendosur sot krijimin e një taskforce të dedikuar për kontrollin e të gjitha subjekteve sidomos në zonat turistike, për të përmirësuar infrastrukturën e trajtimit të ujërave të ndotur, që shkarkohen në ujërat larës si në det, lumenj apo liqen.

Në një prononcim për mediet pas mbledhjes së qeverisë ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro tha se “nga 45% vetëm 5% të ujërave larës kanë problematika të thella. Me shtimin e numrit të turistëve po mbyllet numri 2023 me më shumë se 10 milionë turistë, edhe tani që flasim me dhjetëra, mijëra vazhdojnë të hyjnë në territorin shqiptar”.

Sipas saj, një pjesë e madhe e këtyre lëvizjeve turistike qarkullojnë, funksionojnë në strukturat e shërbimit, bare e restorante resorte apo hotele përgjatë ujërave larës.

“Kjo është arsyeja pse është punuar gjatë vjeshtës së këtij viti, si për marrjen e shumë masave të tjera për sezonin turistik 2024, i cili pritet të jetë edhe më i shtuar në numër edhe kërkesa edhe një taskforcë të dedikuar edhe për këtë aspekt”, shtoi Kumbaro.

Ministrja Kumbaro u shpreh se “është një akt normativ që vjen si propozim i përbashkët i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, për të bërë një kontroll të rreptë në të gjithë territorin në bashkëpunim me të gjitha subjektet private, të cilat duhet të bëjnë akoma më shumë për përmirësimin e shërbimit dhe për të ruajtur standardet që kanë të bëjnë me trajtimin e ujërave ndotës, që krijohen nga shtimi i lartë i popullsisë në sezonin turistik”.

E pyetur nga gazetarët nëse do të ketë masa, Kumbaro tha se “një ndër synimet është kontrolli i rreptë i barabartë dhe transparent për të gjithë. Do të ketë masa administrative dhe penalitete për të gjitha subjektet”.

/k.s/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKërkoi masë më të lehtë sigurie, GJKKO lë në burg Fredi Belerin
Artikulli tjetërBM – Një tornado paralizon vendin