Ballina Flash

Fieri, atmosferë magjike festash me dekor e drita shumëngjyrëshe

TIRANË, 28 dhjetor /ATSH/ Dritat shumëngjyrëshe në prag të festave të Fundvitit e kanë zbukuruar qytetin e Fierit si rallëherë më parë.

Agjencia Telegrafike Shqiptare sjell kolazh fotosh dhe imazhe fantastike nga atmosfera magjike e festave që po shoqëron qytetin e Fierit, në këtë javë të fundit të dhjetorit 2023.

Bashkia e Fierit ka zbukuruar qytetin me pemët e Vitit të Ri, simbol i kësaj feste në qendër të qytetit, por jo vetëm, ndërsa lumi i Gjanicës që përshkon bulevardin e qytetit është ndriçuar me ngjyrat festive.

Në mbrëmje rreth pemës së Vitit të Ri mblidhen me dhjetëra fëmijë të shoqëruar me prindër, për të bërë fotot të cilat i ruajnë si kujtim në prag të këtyre festave.

Nuk mungojnë dhe shtëpizat e vogla prej druri të “veshura” me zbukurimet tradicionale që shoqërojnë mirëseardhjen e Vitit të Ri 2024, të cilat i shtojnë larmi spektaklit të ngjyrave.

Dhjetori është muaji i festave dhe të gjitha qytetet e vendit janë përfshirë nga atmosfera e gëzueshme e këtyre ditëve.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFotogaleri: Netët magjike të Fundvitit në Tiranë
Artikulli tjetërPARIS – Kulla Eiffel mbyllet në 100-vjetorin e vdekjes së projektuesit të saj