Ballina Aktualitet

Balla: Hedhja e inerteve në shtretërit e lumenjve do të marrë fund

TIRANË, 20 dhjetor/ATSH/ Ministri i Brendshëm Taulant Balla, ka paralajmëruar se historia e hedhjes së mbetjeve apo inerteve në brigjet e lumenjve do të marrë fund.

Në një reagim në rrjetet sociale, Balla njofton rritjen e vigjilencës së Policisë së Shtetit dhe Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit për mbrojtjen e mjedisit.

“Policia e Shtetit dhe IKMT po rrisin çdo ditë vigjilencën dhe do të çojnë para ligjit këdo që kryen krime mjedisore. Historia e hedhjes së mbetjeve/inerteve në brigjet e lumenjve apo në vende të tjera të palejuara do të marrë fund! Përgëzoj Policinë e Shtetit Tiranë për goditjen e një krimi të rëndë mjedisor në lumin Erzen”, thekson Balla.

Më herët Policia e Tiranës njoftoi se strukturat e Komisariatit të Policisë Nr. 1, arrestuan 1 shtetas, që u kap duke shkarkuar inerte në shtratin e lumit Erzen.

Ky shtetas është kapur në flagrancë duke hedhur në shtratin e lumit Erzen, në fshatin Stërmas, mbetje inerte që i kishte transportuar me një mjet kamionçinë, i cili u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakProgrami CoSolve-19, mbështeti 300 SME dhe fermerë
Artikulli tjetërKonferencë shkencore e Akademisë së Shkencave me rastin e 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Turqinë