Ballina Flash

Kalaja e Libohovës, atraksion edhe gjatë mbrëmjes

TIRANË, 17 dhjetor/ATSH/ Kalaja e Libohovës, Monument Kulture i kategorisë së parë ofron tashmë një pamje të re pas ndriçimit.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro thekson se “për festat e ndriçuam edhe të bukurën Kala të Libohovës, ose siç quhet ndryshe Kalaja e Shanishasë, duke marrë emrin e motrës së Ali Pashait, i cili ia bëri dhuratë për martesën me pinjollin e familjes Libohova”.

Ky është një ndër projektet prioritare të bashkisë Libohovë me qëllim përmirësimin e infrastrukturës së qytetit dhe promovimit të turizmit në zonë.

Projekti përfshiu instalimin e ndriçimit të jashtëm në muret e saj. Ky ndriçim i jep një pamje të bukur dhe tërheqëse për turistët që vizitojnë Kalanë historike të Libohovës.

Punimet u kryen nga Agjencia e Shërbimeve dhe Mirëmbajtjes dhe pritet të përfundojnë brenda një periudhe të shkurtër kohore.

Me ndriçimin e realizuar kalaja e Libohovës do të jetë një atraksion turistik dhe pritet që turizmi në zonë të rritet e të kontribuojë në zhvillimin ekonomik dhe social të qytetit.

Kalaja e Libohovës u ndërtua në vitet 1796–1798, pra i përket fundshekullit të 18-të. Ali Pashë Tepelena urdhëroi ndërtimin e saj, për t’ia dhuruar më pas motrës së tij, Shanisha, e martuar në Libohovë.

Ajo është e pozicionuar në një pikë dominuese mbi qytetin e sotëm të Libohovës dhe dikur kontrollonte gjithë luginën e Drinos. Brenda kalasë, që sot është e zbrazët, dikur ndodhej rezidenca feudale.

Kalaja ka katër kulla shumëkëndëshe nëpër këndet e saj dhe është një fortesë me përmasa të konsiderueshme.

/k.s/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSERBI – Fillojnë zgjedhjet e parakohshme parlamentare
Artikulli tjetërVATIKAN – Gjykata dënon ish-këshilltarin e papa Françeskut për krime financiare