TIRANË, 13 dhjetor /ATSH/ Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi sot se, “qeveria miratoi një projektligj të ri për prokurimet, që ka për qëllim të përmirësojë kuadrin rregullator të prokurimit publik në Shqipëri sipas standardeve të BE-së”.
Balluku u ndal në disa nga risitë që sjell ky projektligj, që synon digjitalizimin e të gjithë proceseve të prokurimeve, nisur kjo dhe nga fakti që qeveria shqiptare ka digjitalizuar tashmë dhe pjesën më të madhe të shërbimeve që ofrohen nga administrata.
“Kryerja e vlerësimit automatik të plotësimit të kritereve të përgjithshme dhe të veçanta për kualifikimin e ofertuesve në fazën e parë të parakualifikimit, si dhe zhvillimin e sistemit dinamik të blerjes dhe ankandit elektronik, duke përdorur teknologji të avancuara digjitale, por edhe IA, që tashmë kemi filluar ta implementojmë në të gjitha strukturat ofertuese të shërbimeve”, u shpreh Balluku.
Gjithashtu tha ajo, kryerja e disa proceseve të prokurimit publik si përllogaritja e vlerës limit të kontratës, studimi i tregut, hartimi i specifikimeve teknike, duke ulur në maksimum ndikimin e faktorit njerëzor në procesin e prokurimeve dhe duke e automatizuar këtë proces.
/r.e/






















