TIRANË, 8 dhjetor /ATSH/ Kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako deklaroi sot se, Durrësi do të kthehet në lokomotivë ekonomike të gjithë shqiptarisë.
Në fjalën e saj në panelin Qeverisja Vendore: Reforma Territoriale, Ekonomia Vendore, Shërbimet, Mjedisi Sako tha se, në këtë dekadë në Durrës ka ndodhur një transformim rrënjësor sa i takon Rilindjes Urbane.
“Me këtë program ndërhyrjet në territor janë bëre në disa pika nevralgjike të qytetit, në zonën e Plepave, hyrja e Durrësit, ura e Dajlanit, sheshi “Azem Hajdari”, Bulevardi Dyrrah, sheshi “Liria”, sheshi i Sfinksit, shëtitorja Taulantia”, tha ajo.
Duke folur për përballimin e situatës pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, Sako u shpreh se, “kemi ndërtuar një qytet të ri brenda qytetit që kemi. Në Durrës kanë përfunduar 1250 shtëpi dhe apartamente, ku një pjesë janë ndërtuar nga qeveria shqiptare, një pjesë qytetarët kanë marrë grante. 1306 apartamente të tjera janë në proces. 20 shkolla janë ri konstruktuar dhe rindërtuar nga e para dhe 17 të tjera janë ën proces. Kemi 2 lagje model të zhvillimit në konceptet urbane dhe sociale që ofrojnë banesa të sigurta, me standarde bashkëkohore, qendra shërbimi, hapësira rekreative dhe mjedise të gjelbërta”.
Ajo tha se, “objektivi ynë është që procesi i rindërtimit të përfundojë në vitin 2024”.
Sako u shpreh se “me projekte madhore të infrastrukturës strategjike Durrësi do të kthehet në lokomotivë ekonomike të gjithë shqiptarisë.
“Marina turistike është një projekt shumë i rëndësishëm, jo vetëm për Durrësin, por edhe për ekonominë kombëtare. Do të jetë një ndër marinat më të bukura të Mesdheut, një standard i ri në sektorin e turizmit dhe patjetër një kartëvizitë e shqiptarëve kudo.
Nga an tjetër, shtoi Sako, porti i Porto-Romanos do të jetë një tjetër portë hyrëse nga deti në Durrës dhe gjithë Shqipërinë. Ky projekt përveç aktiviteti tregtar do të bëjë të mundur edhe lidhjen e Durrësit me rajonin, konkretisht me Prishtinën nëpërmjet linjës hekurudhore.
“Hekurudha Durrës-Tiranë, tashmë një kantier tjetër i rëndësishëm në proces, do të bëjë të mudnur lëvizshmërinë e qytetarëve me kosto më të ulët, por edhe në një kohë më të shkurtër”, u shpreh Sako.
“Një projekt tjetër ambicioz është Amfiteatri dhe qendra historike , i cili do t’i shërbejë zhvillimit lokal dhe turizmit në qytetin e Durrësit”, theksoi Sako.
“Një pol i zhvillimit do të jetë stadiumi i ri, i cili nuk do të jetë vetëm territor sportiv, por edhe një pol zhvillimi socio-ekonomik, në një zonë e cila më herët quhej si periferi e qytetit, por sot është qendra e qytetit ë Durrësit”, tha ajo.
Sako u shpreh se, “kemi një projekt shumë ambicioz, i cili mendojmë se do të fillojë në 3 mujorin e parë të vitit që vjen, siç është ai i ndërtimit të shkollës elitare dhe Aakdemisë sportive të Manchester City, që do t’i shërbeje fëmijëve të Durrësit, të gjithë vendit etj”.






















