TIRANË, 22 nëntor/ATSH/ Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, në një mesazh me rastin e Samitit III të Diasporës në Tiranë, vlerësoi se diaspora është pjesë jetësore e materies dhe e shpirtit shqiptar.
“Sot, në Ditën e Alfabetit dhe Ditën Arbëreshe, nisi punimet Samiti III i Diasporës. Salla e madhe e Pallatit të Kongreseve u duk tepër e vogël për të nxënë jo thjesht pjesëmarrësit dhe përfaqësuesit, por emocionet, entusiazmin dhe ngazëllimin e takimit të arbëreshëve dhe botëve shqiptare, të ardhura nga gjithë planeti”, u shpreh ajo.
Nikolla theksoi se diaspora është pjesa jonë jetësore, e materies dhe e shpirtit shqiptar, një margaritar i çmuar i Shqipërisë dhe i kombit shqiptar, burim dhe faktor i pazëvëndësueshëm për zhvillimin dhe integrimet tona euroatlantike.
“Përfaqësues të shquar, por edhe njerëz të thjeshtë nga diaspora, janë partnere aktivë dhe të respektuar të Kuvendit të Shqipërisë. Komunitetet shqiptare anembanë globit rrezatojnë vlerat tona më të spikatura kombëtare dhe kontribuojnë në zhvillimin e vendeve ku jetojnë, me punë, dije, shkencë, sakrifica, përkushtim e dinjitet”, u shpreh ajo./m.m/























