Ballina Aktualitet

Çuçi: Opozita përdor çështjen e komisioneve hetimore për luftë politike

TIRANË, 20 nëntor/ATSH-Maela Marini/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Bledi Çuçi u shpreh sot se opozitës nuk i është mohuar e drejta për ngritjen e komisioneve hetimore, por duhet që objekti i kërkesës të jetë sipas parashikimeve të Kushtetutës.

Në një prononcim për mediet pas përfundimit të seancës plenare, Çuçi u shpreh se “objekti për ngritjen e komisioneve parlamentare duhet të plotësojë disa kushte dhe për fat të keq të paktën 3 kërkesat e fundit të opozitës kanë mangësi në objekt.

“Kërkesa e opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore ka një objekt të përgjithshëm, jo specifik. Siç ka thënë Gjykata Kushtetuese, e drejta kushtetuese për të ngritur një komision hetimor nuk e kthen parlamentin automatikisht në superorgan që suprimon të drejtat e tjera që kanë organet kushtetuese. Nëse plotësohen këto mangësi në objekt, e drejta e tyre për të ngritur komision hetimor nuk do të mohohet”, tha ai.

Por sipas Çuçit, fakti që opozita nuk denjon ta përmirësojë objektin dhe ta sjellë sipas Kushtetutës, do të thotë se kjo çështje po përdoret për një luftë politike.

“Kjo nuk bëhet për shqiptarët por për kryetarin dhe karrigen e PD-së. Situata është shumë e qartë, nuk ka më se çfarë diskutojmë në këtë pikë”, tha ai.

Po ashtu, Çuçi informoi se Gjykata Kushtetuese ka vënë re se ka mangësi në ligjin aktual dhe duhet të përmirësohet legjislacioni.

“Ne kemi ngritur grup pune, ku përfaqësuesit e opozitës nuk kanë pranuar të bashkëpunojnë. Ne do ta përfundojmë draftin dhe do t’ia japim edhe opozitës për konsultim që ta kemi mundësisht brenda këtij viti të përfunduar”, tha ai.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBuxheti 2024, Denaj: 7.2 miliardë lekë mbështetje e drejtpërdrejtë për fermerët
Artikulli tjetërNdryshimet në ligjin “Për procedurat tatimore”, gjobat bëhen proporcionale në bazë të dëmit