TIRANË, 9 nëntor /ATSH/ I Ngarkuari me Punë i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, ambasadori Luigi Soreca, i dorëzoi sot qeverisë shqiptare progresraportin për vitin 2023 të Komisionit Evropian për Shqipërinë.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp me zëvendëskryeministren Belinda Balluku, Soreca u shpreh se, “Paketa e Zgjerimit 2023 ndodh në një kontekst të veçantë që bazohet në 2 zhvillime shumë të rëndësishme politike në kontinentin tonë. Së pari, zgjerimi është kthyer sërish në agjendën politike të BE-së, në një mjedis gjeopolitik që ndryshon shpejt, për të cilin BE-ja ka vepruar si e tërë fuqimisht, bashkë me partnerët më të rëndësishëm, duke përfshirë veçanërisht Shqipërinë”.
“Ka tashmë një konsensus të ripërtërirë që një zgjerim i besueshëm mbi bazë meritash është shtytësi kryesor i transformimit, duke rritur sigurinë kolektive dhe mirëqenien tonë socio-ekonomike”, tha ai.
“Siç e tha presidentja Von der Leyen dje kur prezantoi Paketën për Zgjerim, ne duhet t’i përgjigjemi thirrjes së historisë dhe të punojmë për përshpejtimin e zgjerimit të BE-së dhe plotësimin e bashkimit”, u shpreh Soreca.
“Shtytësi i dytë kryesor është njohja që konvergjenca ekonomike është një element thelbësor që Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor të arrijnë të vijnë më afër BE-së”, nënvizoi Soreca.
/r.e/























