TIRANË, 7 nëntor /ATSH/ Në Tiranë, do të mbahet Konferenca Rajonale mbi Lehtësimet Tregtare “Fuqizimi i Partneriteteve Bashkëpunuese në Epokën Digjitale”.
Në një njoftim për shtyp Drejtoria e Përgjithshme e Doganave bëri të ditur se, kjo konferencë parashikon pjesëmarrjen e rreth 200 përfaqësuesve të lartë nga shteti dhe biznesi nga Ballkani Perëndimor, Moldavia, shtetet anëtare të BE-së, Komisioni i BE-së, Organizata Botërore e Doganave dhe Shtetet e Bashkuara.
Konferenca organizohet në kuadër të projektit të GIZ për Mbështetjen e Integrimit Ekonomik Rajonal, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria gjermane, si dhe në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, në Shqipëri.
Në thelb të kësaj konference do të jetë potenciali transformues i bashkëpunimit, me qëllim forcimin dhe nxitjen e partneriteteve brenda Ballkanit Perëndimor dhe me Bashkimin Evropian. Konferenca do të shërbejë si platformë për të dëshmuar arritjet e bashkëpunimit ndërmjet Administratave Doganore dhe për të diskutuar më tej mbi rastet e suksesit dhe sfidave.
Ky takim do të ofrojë mundësinë për të grumbulluar të dhëna nga praktikat më të mira, jo vetëm nga BE-ja, por në nivel botëror. Objektivi parësor është avokimi për një bashkëpunim më të fortë, duke theksuar nevojën për të nxitur një integrim rajonal më të thellë dhe një progres më të shpejtë në rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian.
/r.e/























