Ballina Aktualitet

Rama: Reforma në Drejtësi është e pakthyeshme

TIRANË, 3 nëntor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi se Reforma në Drejtësi është e pakthyeshme dhe atë e bëri Partia Socialiste.

Në mbledhjen e Asamblesë së zgjeruar të Partisë Socialiste në Fier, Rama tha se “nuk është Amerika që bëri Reformën në Drejtësi, por është PS”.

“Sigurisht PS gjeti dhe pati për këtë reformë një mbështetje masive të aleatëve strategjikë. A bëhej dot reforma pa mbështetjen e tyre? Jo, nuk bëhej. Por tjetër është ta udhëheqësh reformën dhe tjetër ta mbështesësh reformën. Mbështetja në rastin tonë ishte shumë e rëndësishme, se ne sado të zotë të jemi ishte e pamundur të sillnim në sallën e Kuvendit të gjithë ata ‘kreshnikët’ që mbanin dorën lart me kartonin jeshil dhe ulnin kokën poshtë kur votohej Reforma në Drejtësi”, tha Rama.

Po ashtu kryeministri u shpreh se “po kaq e pavërtetë është edhe tjetra, që e kemi kapur ne drejtësinë”.

“Kjo besoj nuk ia vlen një shpjegim, se është e qartë. Një forcë, një qeveri, një kryeministër, që do të kapi drejtësinë, për çfarë do ta kapi? Që mos t’i kapin askënd. Se ta kapësh drejtësinë e pastaj të t’i kapin ata që duhen kapur, kjo nuk është kapje e drejtësisë. Ose ke brenda vetes vesin, ose vizionin dritëshkurtër që ti të rrish në karrige dhe t’i kapësh të gjitha dhe pastaj të rrish sa më gjatë në karrige, ose kërkon që fuqinë e asaj karrigeje ta vësh në dispozicion për të bërë gjëra që mbeten për të gjithë”, theksoi ai.

Rama theksoi se Reforma në Drejtësi ka filluar sot, por do të mbetet për të gjithë në vijimësi, sepse është e pakthyeshme.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakLIBAN – Nasrallah: Lëvizja islamike Hezbollah po lufton kundër Izraelit
Artikulli tjetërRama: S’ka rritje taksash, rishikim i nivelit të taksës mbi pagën