Ballina Flash

Begaj: Mbështetje çdo projekti bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Kalabrisë

TIRANË, 23 tetor/ATSH/ Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, përfundoi sot vizitën disaditore në rajonin arbëresh të Kalabrisë.

Ai e mbylli turin e takimeve në Falconara Albanese, Vena di Maida dhe Caraffa di Catanzaro.

Ashtu si në të gjitha vizitat edhe në këto komuna, Presidenti i Shqipërisë u prit me ceremoni festive nga banda muzikore dhe arbëreshët e veshur me kostumet tradicionale.

Presidenti Begaj shprehu falenderime për mikpritjen dhe përpjekjet e arbëreshëve në ruajten e identitetit kombëtar.

Gjatë qëndrimit në Vena di Maida, Presidenti Begaj vizitoi muzeun etnografik “Sorelle Manes” ku janë ekspozuar kostumet popullore të komunitetit dhe fotografi të personaliteteve historike.

Ndërsa më pas, në Caraffa di Catanzaro, Kreu i Shtetit zhvilloi një takim me Prefektin e Katanxaros, Enrico Ricci dhe Nënsekretaren për Punët e Brendshme, Wanda Ferro.

Presidenti i Republikës dekoroi Institutin e Kulturës Arbëreshe “Giuseppe Gangale” që mban emrin e mbrojtësit të pakicave etnike, për kontributin e dhënë ndër vite në interes të mbrojtjes së gjuhës, traditës dhe kulturës së komunitetit abëresh.

Gjatë vizitave që kreu në rajonin e Kalabrisë, Presidenti Bajram Begaj u zotua se do të mbështesë çdo projekt të ri bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Kalabrisë, në fushat me interes të ndërsjellë si turizmi apo tregtia.

Ai ftoi investitorët italianë e kalabrezë, të vijnë në Shqipëri, ndërsa nga autoritetet vendore atje, mori premtimin për lejimin e mësimit të gjuhës kalabreze në shkolla.

/m.m/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBardhi: Kufizimi i lirisë së lëvizjes së Berishës pa autorizim të Kuvendit, shkelje e Kushtetutës
Artikulli tjetërDenaj: BB financim 65 milionë euro për rritjen e aksesit në tregje për fermerët dhe sigurinë ushqimore