TIRANË, 16 tetor /ATSH/ Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der leyen deklaroi sot se, vendet e Ballkanit Perendimor do të përfshihen në punën operacionale të përditshme lidhur me menaxhimin e migracionit në kufinjtë e jashtëm të BE.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me Kryeministrin Edi Rama dhe Kancelarin gjerman, Olaf Scholz, në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit që po mbahet sot në Tiranë, e pyetur mbi flukset migratore në Ballkan, von der Leyen tha se, “kemi patur një diskutim të kufizuar lidhur me këtë temë, pasi nuk ishte në fokusin e diskutimeve të sotme, por sigurisht ishte pjesë e diskutimeve. Dhe në fakt ne po i monitorojmë rrugët e emigracionit me Bashkimin Evropian. Rrugë të tilla të emigrantëve, për shembull, që vijnë përmes Ballkanit Perëndimor”.
“Më duhet të them që tema e parë, nëse e shikoni nga këndvështrimi i BE-së, është se ne kemi rregullat e brendshme të zgjidhura në mënyrën e duhur, që do të thotë se kemi përfunduar paktin për migracionin dhe azilin. Këto janë rregullat e brendshme në Bashkimin Evropian, por jemi në rrugë të mbarë, pasi kemi rënë dakord për këto rregulla dhe për menaxhimin e krizës”, tha von der Leyen.
“Pjesa e dytë është pjesa operacionale. Këtu ne mund të jemi shumë praktik. Për shembull, mund të punojmë ngushtësisht me vendet e Ballkanit Perëndimor duke forcuar kufijtë nëpërmjet marrëveshjeve Frontex, jo me secilin, por me disa prej tyre. Ose, regjistrimi si duhet i refugjatëve. Këtu është shumë e rëndësishme përputhja e politikës së vizave dhe këtu Agjencia jonë për azilin dhe agjencitë e BE-së po japin mbështetje aq sa munden”, theksoi von der Leyen.
Kështu, shtoi presidentja e KE, “përveç aspektit ligjor brenda BE-së ne fillojmë të përfshijmë edhe vendet e Ballkanit Perëndimor në punën operacionale të përditshme lidhur me menaxhimin e migracionit në kufijtë tanë të jashtëm”.
Lidhur me këtë çështje, kryeministri Rama u shpreh se, “po, ne kishim një diskutim për këtë. Nuk mund të shtoj shumë gjëra ndaj asaj që tashmë shpjegoi presidentja. Ajo që mund të them për veten tone, për Shqipërinë, unë them se nuk jemi pjesë e rrugës ballkanike. Pra, në këtë aspekt, ne nuk ndikojmë shumë për mirë apo për keq këtë fenomen”.
Por, shtoi Rama, “ashtu si gjithmonë, ne jemi këtu të gatshëm për të ndihmuar. Kështu kemi vepruar gjatë gjithë historisë sonë. Shqipëria ishte i vetmi vend në Evropë që pas luftës kishte më shumë hebrenj sesa përpara luftës. Praktikisht, Shqipëria u bë një vend i sigurt për hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe ku asnjë hebre nuk iu dorëzua nazistëve. Më pas, kemi dramën e madhe të pastrimit etnik në Kosovë. Ne mirëpritëm këtu gjysmë milioni kosovarë, të cilët ishin të detyruar të largoheshin sepse u gjenden nën një presion të tmerrshëm. E thënë në kuptimin e parë, ata ndiqeshin nga regjimi i Millosheviçit. Ne gjithashtu strehuam disa mijëra afganë pas situatës së krijuar kur Aleanca jonë u largua nga Afganistani. Dhe ne jemi të gatshëm të veprojmë kështu edhe në të ardhmen, gjithmonë duke marrë parasysh se jemi një vend i vogël dhe nuk kemi kapacitete të pakufizuara”.
“Për t’ju përgjigjur pyetjes suaj, unë jam plotësisht dakord me presidenten kur tha se një fenomen i tillë duhet të trajtohet në një mënyrë të bashkuar dhe duke përcaktuar qartë rregullat e brendshme si për BE-në ashtu edhe për Ballkanin Perendimor. Kjo sepse Ballkani Perëndimor është realiteti më i pabesueshëm historik dhe gjeografik në hartë. Nuk mendoj se ka një të dytë në histori ku në hartë është i rrethuar nga një entitet tjetër. Pra, ne nuk jemi në BE, por jemi të rrethuar plotësisht nga kufijtë e BE-së. Ne jemi pjesë në të mire ose në të keq”, theksoi Rama.






















