TIRANË, 16 tetor/ATSH/ Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha sot se “Piramida nis me një jetë të re, do të jetë qendra më e madhe për mësimin dhe trajnimin digjital për fëmijët e së ardhmes”.
Në fjalën e tij në përurimin e Piramidës, Veliaj tha se “për ata që ende nuk e njohin historinë, Piramida nisi si një mauzoleum për Enver Hoxhën. Ai vdiq në 1985-ën, kohë kur ne nuk kishim shumë elektricitet e frigoriferë, kështu që nuk ishte kaq e volitshme që të kishim një mumje në Piramidën e Tiranës, ndaj e ndryshuan idenë, nga mauzoleum në një muze. Unë dëgjova sot Edin, i cili shpjegoi pak konceptin e Piramidës, që ka qenë selia e NATO-s gjatë një konflikti me ish-Jugosllavinë. Ajo që shumë njerëz nuk e dinë është se Edi dhe unë po bënim një debat kur BE bëri një kërkesë për të vendosur zyrat këtu. Duke qenë se u deshën gjashtë vjet që të merrej vendimi, kryeministri vendosi që t’ua japë fëmijëve. Pas shumë jetëve të jetuara, sot Piramida nis me një jetë të re, do të jetë qendra më e madhe për mësimin e trajnimin digjital për punët e të ardhmes. Ky qytet 8 vite më parë ishte 25% prodhim tekstilesh dhe këpucësh. Ndërkohë që, tashmë është 25% TIK dhe 25% turizëm. Kjo tregon që gjërat mund të ndryshojnë,” u shpreh Veliaj.
Kryebashkiaku tha gjithashtu se, pjesë e Piramidës do të jetë edhe Kolegji i Evropës, ku studentë nga e gjithë Evropa dhe rajoni, përveç Bryzh dhe Natolin, tashmë mund të studiojnë në Tiranë, përkrah studentëve shqiptarë në një nga institucionet akademike më prestigjioze për zhvillimin dhe zhvillimin promovimin e Projektit Europian.
Piramida do t’i shërbejë plot 4000 fëmijëve që përfitojnë nga projektet e përbashkëta mes Fondacionit Shqiptaro-Amerikan dhe qeverisë shqiptare.
Projekti i rivitalizimit të Piramidës së Tiranës synoi transformimin e saj në një qendër shumëfunksionale në qytet, duke siguruar hapësirë për të rinjtë dhe njerëzit që të angazhohen në art, kulturë dhe teknologji krijuese.
Kjo qendër, financim i qeverisë, bashkisë së Tiranës dhe Fondit Amerikan të Zhvillimit, ka 18 salla, ku të rinjtë të studiojnë për programe të ndryshme kompjuterike dhe 14 klasa të tjera, që janë konceptuar në natyrë.
Programet që do të ofrohen janë: animacion, zhvillimi i lojërave, kinematografia, web design, muzikë, shkrim, vizatim, dizajn grafik, modelimi 3D, programim, robotikë, grafika e lëvizjes, fotografi dhe media e re.
/k.s/r.e/























