TIRANË, 12 tetor /ATSH/ Kuvendi i Shqipërisë, do të organizojë nesër Konferencën parlamentare mbi “Rolin e Parlamentit në Procesin e Berlinit”.
Ky është takimi i parë që kryhet në javën e Samitit të Procesit të Berlinit, që përpiqet t’i japë një tjetër drejtim rolit të kuvendeve të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në procesin e integrimit dhe në të marrin pjesë kryetarët dhe nënkryetarët e komisioneve parlamentare për çështjet europiane dhe deputetë nga parlamentet e Kosovës, Bosnjë- Hercegovinës, Malit të Zi, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Në nisje të Konferencës, do të përshëndesin Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla; kryetarja e Komisionit për Çështjet Europiane, Jorida Tabaku; ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani; I Dërguari i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca dhe Sekretarja e Përgjithshme e RCC, Majlinda Bregu.
Konferenca do të vijojë me dy panele diskutimesh. I pari do të jetë i fokusuar mbi rolin Kuvendit në Procesin e Berlinit dhe i dyti mbi 4 liritë themelore të BE dhe Procesi i Berlinit, sfidat e të ardhmes.
Në orën 15:00, kryetarët e komisioneve parlamentare do të dalin në një Deklaratë të Përbashkët dhe në përmbyllje të Konferencës, Jorida Tabaku, Kryetare e komisionit parlamentar për Çështjet Europiane do të bëjë përmbledhjen e diskutimeve të konferencës.
/r.e/























