TIRANË, 6 tetor /ATSH/ Nën kujdesin e Kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla, grupi i deputetëve “Miqtë e Fëmijëve”, zhvilloi ditën e sotme një seancë dëgjimore për zbatimin e ligjit “Për Regjistrin e të dënuarve për Krime Seksuale”.
Mbledhja u drejtua nga zëvendëskryetarja e këtij grupi, Desantila Tahiraj.
Në këtë takim, përshëndetën dhe mbajtën fjalë edhe dy zëvendëskryetaret e grupit, deputetet Ina Zhupa dhe Erisa Xhixho.
Po ashtu, pjesë e takimit ishin edhe deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, përfaqësues nga institucione të ndryshme shtetërore, zëvendësministri i Drejtësisë, Klajd Karameta, zëvendësministri i Brendshëm, Julian Hodaj, përfaqësues nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, Policia e Shtetit, Policia e Burgjeve, përfaqësues nga organizata të ndryshme të shoqërisë civile si CRCA, Unicef, Alo 126, Save the Children, World Vision Albania, Caritas Shqiptar etj.
Fokusi i këtij takimi ishte tema mbi mënyrat për mbrojtjen e fëmijëve nga pedofilët apo çdo person që mund të shfrytëzojë seksualisht fëmijët.
Zëvendëskryetarja Tahiraj, në fillim të fjalës së saj u shpreh se ndjeshmëria mbi këtë temë është shumë e madhe dhe të vendos përballë një përgjegjësie akoma më të madhe.
Gjithashtu, ajo theksoi se, fokusi i çdo familjeje është mbrojtja e fëmijëve të tyre dhe se shteti dhe shoqëria duhet të bëhen bashkë për të bërë më të mirën mbi këtë problem madhor, ndaj si i tillë kërkon zgjidhje jo vetëm mbi dënimin për ata që kryejnë vepra të tilla penale, por mbi të gjitha krijimin e mekanizmave që parandalojnë kryerjen e krimeve të reja të kësaj natyre apo përsëritjen e dhunës seksuale ndaj fëmijëve.
Po ashtu, zëvendëskryetarja e grupit, Ina Zhupa tha se është detyra parësore e këtij grupi parlamentar që është ngritur posaçërisht për fëmijët, mbrojtja, mirëqenia dhe mirërritja e fëmijëve në Shqipëri.
Më tej, edhe zëvendëskryetarja Xhixho, vuri në dukje se ky ligj është një sfidë e përbashkët dhe se asgjë nuk është më e rëndësishme se siguria e fëmijëve tanë dhe krijimi i një mjedisi të sigurt për brezin e ri.
Mbledhja vazhdoi me diskutime të ndryshme edhe nga pjesëmarrësit e tjerë, ku ndër të tjera u diskutua lidhur me krijimin, popullimin dhe bërjen funksionale të Regjistrit Kombëtar të të Dënuarve për Krime Seksuale, siç parashikohet nga Ligji nr. 621 2022 “Për Regjistrin Kombëtar të të Dënuarve për Krime Seksuale”, ngritjen e një baze të dhënash shtetërore sipas ligjit për Regjistrin e Autorëve të Krimeve Seksuale, si edhe u dhanë informacione nga ana e përfaqësuesve të institucioneve përgjegjëse shtetërore në lidhje me problematikat e hasura, situatën aktuale dhe masat e parashikuara për adresimin e saj.
Në fund të takimit, Tahiraj falënderoi pjesëmarrësit për bashkëpunimin duke i ftuar të vazhdojnë të punojnë mbi këtë fenomen, për të mirën e përbashkët.
/r.e/























