TIRANË, 6 tetor /ATSH/ Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, në kuadër të vizitave të punës në Institucionet e Pavarura të cilat raportojnë pranë tij për veprimtarinë e tyre, zhvilloi një vizitë pune në ambientet e AKEP (Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare).
Qëllimi ishte monitorimi në terren i përmbushjes së detyrave ligjore të AKEP-it, zbatimi i rekomandimeve të rezolutës së miratuar nga Kuvendi vitin 2023, si dhe probleme të veçanta që kanë në fokus mbrojtjen e konsumatorit.
Komisioni parlamentar, i cili kryesohej nga kryetari Arben Pëllumbi, u prit në selinë administrative të AKEP nga kryetari i Këshillit Drejtues të AKEP, Tomi Frashëri. Më tej, në sallën e mbledhjeve të Këshillit Drejtues u zhvillua takimi dypalësh mes Komisionit parlamentar për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin dhe përfaqësueve të AKEP (anëtaret e Këshillit Drejtues dhe staf i AKEP).
Frashëri, në fjalën e tij theksoi rëndësinë e njohjes nga afër të problematikave të sektorit të komunikimeve elektronike dhe postare. Ai gjithashtu falenderoi anëtarët e Komisionit Parlamentar për punën e bërë gjatë shqyrtimit të raportit vjetor të AKEP-it për vitin 2022 si dhe rezolutën e miratuar nga Kuvendi mbi veprimtarinë e AKEP së bashku me rekomandimet përkatëse për vitin 2023.
Ndërsa Arben Pëllumbi u ndal në zbatimin e rekomandimeve të rezolutës së miratuar nga Kuvendi për veprimtarinë e AKEP për vitin 2023.
Në mënyrë të veçantë Pëllumbi u ndal në situatën e re të një tregu duopol të krijuar në telefoninë celulare. Ai theksoi se Kuvendi i ka kushtuar një rëndësi të veçantë mbrojtjes së konsumatorit. Gjithashtu Pëllumbi i uroi punë të mbarë edhe tre anëtarëve të rinj të Këshillit Drejtues të AKEP. Plotësimi i vendeve vakante të Këshillit Drejtues të AKEP do të ndikojë në funksionimin normal të tij, si dhe në rritjen e mëtejshme të profesionalizmit, objektivitetit, e transparencës së institucionit.
Deputetët e pranishëm diskutuan dhe bënë pyetje mbi çështje të ndryshme që kanë lidhje me sektorin e komunikimeve elektronike dhe postare. Disa nga çështjet për të cilat deputetët shprehen interesimin e tyre kishin të bënin me shqetësimin e konsumatorëve lidhur me disa probleme teknike të njërit prej operatorëve celular, problematikën lidhur me shërbimin postar, problematika lidhur me nevojën e një marrëveshjeje ndërkufitare me Greqinë për të evituar ndërhyrjet e sinjaleve të operatorëve celularë të vendit fqinj në territorin shqiptar etj. Kryetari i Këshillit Drejtues të AKEP-it, Tomi Frashëri dha sqarimet dhe shpjegimet e nevojshme për deputët e komisionit.
Deputetët bënë edhe një vizitë në Qendrën Kombëtare të Monitorimit të Frekuencave, ku u njohën me punën e stafit teknik, me funksionimin konkret të monitorimit të frekuencave në Republikën e Shqipërisë, si dhe investimet e kryera në vitet e fundit për sa i përket sigurisë kibernetike.
/r.e/























