Ballina Bota

GJERMANI – Policia kundër kontrolleve në kufijtë çekë dhe polakë

BERLIN, 26 shtator /ATSH-DPA/ – Sindikata e Policisë Gjermane (GdP) ka kundërshtuar sërish kontrollet në kufijtë me Poloninë dhe Republikën Çeke.

“Jemi kundër kontrolleve fizike dhe fikse të kufirit, pasi ne nuk e konsiderojmë këtë efektive në punën e policisë”, tha nënkryetarja e Policisë Federale të Qarkut të PBB-së, Erika Krause-Schöne për gazetën “Rheinische Post”.

Ministrja e Brendshme gjermane, Nancy Faeser deklaroi më herët se janë planifikuar kontrolle edhe për të luftuar kontrabandën.

Faeser tha dje në mbrëmje, gjatë një diskutimi të organizuar nga “Frankfurter Allgemeine Zeitung” në Frankfurt, se mund të ktheheshin mbrapsht njerëzit që kishin tentuar të hynin në vend pa leje në kufijtë polakë dhe çekë.

Aktualisht, kontrollet e përkohshme kufitare janë vendosur në shtetin jugor të Bavarisë në kufirin me Austrinë që nga vjeshta 2015. Kontrollet kufitare janë zgjatur sa herë u ka mbaruar afati.

Ministri i Brendshëm i shtetit lindor të Turingisë, Georg Maier, ishte skeptik për këtë çështje.

“Vetëm kontrollet në kufirin me Poloninë dhe Republikën Çeke nuk do të zgjidhin krizën e migracionit në Gjermani”, tha Maier për “The Pioneer” .

“Nuk ka asnjë mjet ligjor për t’i kthyer njerëzit në kufi nëse ata kërkojnë azil”, tha ai.

Për më tepër, kontrollet e plota do të rezultonin në bllokime të gjata trafiku si dhe kosto të mëdha për personelin.

Krause-Schöne dhe Maier bënë thirrje për një zgjidhje në nivel evropian për të kufizuar migrimin e parregullt. //a.i/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakAmbasadori Hifzi: Progres i jashtëzakonshëm në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Arabisë Saudite
Artikulli tjetërDita Ndërkombëtare për Eliminimin e Plotë të Armëve Bërthamore