Ballina Flash

Bixha: Kompensimi i biletës së transportit për studentët, jo për të gjithë linjat e urbanit në Tiranë

TIRANË, 25 shtator /ATSH/ Anëtarja e këshillit bashkiak të Partisë së Lirisë në bashkinë e Tiranës, Erion Bixha u shpreh sot se, “në mbledhjen e fundit në Këshillin Bashkiak të Tiranës, u miratua një vendim me qëllimin për t’i ardhur në ndihmë buxhetit të studentëve, i cili ka të bëjë me kompensimin e biletës së pajtimit mujor të përgjithshëm për studentët e pajisur me kartë studenti në transportin qytetas në Bashkinë Tiranë”.

“Pavarësisht pikëpyetjeve dhe sugjerimeve të këshilltarëve opozitar në komisionin përkatës dhe në seancën e mbajtur, Bashkia Tiranë solli një projektvendim me mangësi dhe aspak gjithëpërfshirës për këtë targetgrup”, tha Bixha, në një deklaratë për shtyp.

Ajo u shpreh se, ky shërbim nuk do të përfshijë të gjitha linjat urbane që operojnë në bashkinë e Tiranës.

“Vërtet, sot propagandohet për një Tiranë policentirike por në realitet i gjithë aktiviteti akademik, ekonomik, social, kulturore etj vazhdon të mbetet vetëm në qendër të Tiranës. Ndaj, studentët që vijnë nga ish-komunat e që sot janë pjesë e bashkisë së madhe të Tiranës si Farka, Bërzhita, Dajti, Vaqarri, Petrela, Zall-Herri e Zall-Bastari nuk përfitojnë nga ky shërbim”, theksoi ajo.

Së dyti, vijoi Bixha, “ky shërbim nuk jepet falas për të gjithë vitin, por për një pjesë të tij, me pretekstin se mbulon vetëm vitin akademik, duke harruar se studentët bëjnë jetë aktive gjatë gjithë vitit në Tiranë jo vetëm akademike, por edhe profesionale”.

“Ky është trajtimi, vlera dhe rëndësia që Kryeqyteti Europian i Rinisë, Kryeqyteti Europian i Sportit e shumë e shumë tituj të tjerë që Erion Veliaj i vendos punës së tij, iu japin të rinjve”, tha ajo.

Bixha uroi që ky vit i ri akademik të ketë sa më pak burokaci dhe abuzime në shërbime që iu përkasin studentëve dhe të rinjve, duke filluar nga aboneja e studentit, për të cilën shtoi ajo, “Bashkia e Tiranës duhet të marrë masa që tani që në të shtatë pikat e shpërndarjes në kryeqytet të jetë një proces i aksesueshëm dhe i shpejtë për studentët dhe larg nga ngjarjet e ndodhura deri më tani”.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakCelibashi: Mirënjohje të gjithë atyre që kontribuan për mbarëvajtjen e zgjedhjeve në Kukës
Artikulli tjetërKIEV – Zelensky konfirmon mbërritjen e tankeve ”Abrams” nga SHBA