Ballina Flash

Miqësorja e dytë e U-17, Shqipëria mposht sërish Maltën

TIRANË, 20 shtator/ATSH/ Shqipëria U-17 ka zhvilluar miqësoren e dytë ndaj Maltës U-17, sfidë që u luajt në Shtëpinë e Futbollit dhe përfundoi me fitoren 2-1 të kuqezinjve, që bënë një paraqitje të mirë, duke dominuar 90 minutat.

Trajneri kuqezi, Ardi Behari e nisi lojën me këtë formacion: Etem Xhemali, Davide Avdullari, Kris Gecaj, Renato Halili, Fabjano Nuhaj, Mattia Huqi, Eraldo Karaj, Oresti Rifa, Brayan Gjyla, Xheto Joi Nuredini, Tedi Malaj.

Malta tenton që në prekjen e parë të topit, me një goditje që nga mesi i fushës, për të befasuar portierin Xhemali, por topi përfundon jashtë. Megjithatë, kuqezinjtë marrin menjëherë frenat e lojës në dorë dhe duhen vetëm katër minuta për të zhbllokuar rezultatin. Oresti Rifa merr një top në të djathtë dhe pasi driblon disa kundërshtarë godet saktë në pozicion diagonal dhe e dërgon topin në rrjetë për 1-0.

Vetëm tre minuta më pas një tjetër aksion i bukur për kombëtaren shqiptare me Gjylën që jep një pasim të bukur për Rifën, i cili pasi kontrollon topin në zonë gjuan me të djathtën dhe shënon, duke dyfishuar shifrat.

Edhe në minutat në vazhdim Shqipëria vazhdon të jetë në kontroll të lojës, duke krijuar disa raste të tjera për shënim, ku mund të veçohet ai i Avdullarit, i cili fare afër portës e dërgon topin jashtë.

Në pjesën e dytë, Malta bën tre zëvendësime, duke freskuar forcat në fushë, por është sërish Shqipëria me Kris Gecajn dhe Eraldo Karajn, që kanë raste të mira për shënim, pa finalizuar siç duhet. Malta arrin të dalë në anët e portës kuqezi dhe ka dy raste të shpejta, por është portieri Xhemali që në të dyja shanset reagon mirë duke shmangur golin.

Gjithsesi, në minutën e 63-të Malta arrin të ngushtojë shifrat në 2-1, falë golit të shënuar nga Thomas Melillo me një goditje dënimi jashtë zone.

Në minutën e 75-të, Gjyla, një nga më të mirët në fushë, arrin të shënoj një gol, që do të anulohet për shkak të pozicionit jashtë loje. Më pas është Malaj që shfrytëzon mirë një top në qendër të zonës, por gjuajtja e tij bllokohet vetëm në vijën fatale nga mbrojtja malteze. Gici I ardhur nga stoli ka një tjetër shans për gol, që nuk shfrytëzohet siç duhet në finalizim, ndërkohë që për të disatën herë Gjyla është shumë afër golit të tretë për Kombëtaren.

Në minutat e fundit rezultati nuk ndryshon dhe Shqipëria merr fitoren e dytë me Maltën, këtë herë 2-1, pas suksesit të dytë ditëve më parë, ku triumfoi me rezultatin 2-0.

/k.s/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRehabilitohet rruga në Mirakë, Gjiknuri: Korridori 8 më shumë ekonomi për Librazhdin
Artikulli tjetërRama: Shqipëria e ka bërë zgjedhjen e saj, të qëndrojë përkrah dhe me Ukrainën