Ballina Aktualitet

Garo: McGonigal bëhet çështje në Kongresin e SHBA

Zëdhënësja e grupimit të Rithemelimit të Partisë Demokratike, Floriana Garo
Zëdhënësja e grupimit të Rithemelimit të Partisë Demokratike, Floriana Garo

TIRANË, 20 shtator /ATSH/ Zëdhënësja e grupimit të Rithemelimit të Partisë Demokratike, Floriana Garo deklaroi sot se, çështja McGonigal është bërë çështje në Kongresin e SHBA.

Në një deklaratë për mediet, Garo theksoi se, “kryetari i Komisionit Juridik të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA ka kërkuar dje nga organet ekzekutive dorëzimin në këtë Komision të të gjithë dokumentacionit të dosjes së Nju Jorkut dhe asaj të Uashingtonit që ato disponojnë për veprimtarinë kriminale të McGonigal ish-shef i kundërzbulimit të FBI-së për Nju Jorkun”.

Sipas saj, angazhimi i Kongresit të SHBA për hetimin e kësaj çështje, dëshmon rëndësinë e jashtëzakonshme që ka zbardhja e saj.

“Partia Demokratike përshëndet këtë akt të Kongresit të SHBA-së dhe shpreh angazhimin e saj për të dhënë ndihmesën e vet modeste në zbardhjen e aspekteve të caktuara të veprimtarisë kriminale të McGonigal në bashkëpunim direkt dhe të ngushtë me Edi Ramën, këshilltarin e tij privat Dorian Duçka, dhe ish-oficerin e policisë sekrete të Shqipërisë, Agron Neza në Shqipëri”, nënvizoi Garo.

Garo shtoi se, PD ka paraqitur në parlament një kërkesë me 45 firmat e deputetëve të opozitës për hetimin e kësaj  veprimtarie.

Sipas saj, “Prokuroria e Posaçme e Shqipërisë nën kontrollin e plotë të Edi Ramës, refuzoi pa asnjë arsye ligjore të hapë hetimin për veprimtarinë antiligjore kriminale të grupit të mësipërm në Shqipëri, pavarësisht se veprat penale të këtij grupi, ishin kryer në Shqipëri nga shtetas shqiptar në bashkëpunim me shtetas te huaj”.

“Refuzimi i hetimit të veprimtarisë kriminale të grupit të strukturuar Rama, Mc Gonigal, Duçka, Neza nga SPAK-u dëshmon qartë dhe përfundimisht se në Shqipëri nuk mund të hetohet asnjë aferë kriminale e lidhur me Edi Ramën e çfarëdo peshe qoftë ajo”, përfundoi Garo.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakNis ndërtimi i lotit të 3-të të rrugës Berat-Ballaban, akses më të afërt me Greqinë
Artikulli tjetërBashkëraportuesit e Asamblesë Parlamentare të KiE, vizitë monitoruese në Shqipëri