Ballina Aktualitet

Bozdo: Megaafera e Portit të Durrësit, dëmi i rëndë për ekonominë

TIRANË, 20 shtator/ATSH/ Anëtari i kryesisë së grupit të Rithemelimit në Partinë Demokratike, Enno Bozdo u shpreh sot se “megaafera korruptive e Portit të Durrësit është dëmi më i rëndë që i shkaktohet ekonomisë dhe sigurisë kombëtare”.

Bozdo theksoi se “kompania gjermane EMS-APO ka paditur Autoritetin Portual, pra qeverinë shqiptare, në Gjykatën e Arbitrazhit në Uashington, për një shumë prej 40 milionë eurosh, për dëmtim me qëllim të aktivitetit të saj tregtar në Portin e Durrësit”.

“Kjo për arsyen e vetme të hapjes së rrugës për projektin korruptiv të ndërtimeve në Portin e Durrësit, nga Mohamed Alabbar, mik dhe partner i Edi Ramës, të cilit i është dhuruar nga ana e kryeministrit aseti më i rëndësishëm strategjik dhe ekonomik i Shqipërisë sot, porti i Durrësit”, u shpreh ai.

Sipas tij, “ndërsa kompania gjermane do të arkëtojë 40 milionë euro nga paratë tona, Mohamed Alabbar është duke shitur apartamente në ajër, pa i ndërtuar ende”.

“Nuk mund të gjendet një rast i tillë i dytë në asnjë vend të botës, ku porti kryesor i vendit në të cilin përpunohen 95 % e mallrave detare, praktikisht dera e vetme e komunikimit detar të Shqipërisë me botën, t’i falet një ndërtuesi si Alabbar, me qëllimin e vetëm që ky të fitojë në mënyrë të sigurt miliarda euro, duke e përjashtuar nga çdo lloj konkurrence”, theksoi ai.

/m.m/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakLiga e Kombeve për vajza, Grima fton dy futbolliste për sfidën ndaj Hungarisë
Artikulli tjetërKonferenca e 7-të shkencore në kuadër të Procesit të Berlinit në Tiranë