TIRANË, 19 shtator/ATSH/ Dita-ditës po merr jetë qendra më e re dedikuar trashëgimisë kulturore.
Në zonën e njohur si Mozaiku i Tiranës po ngrihet një qendër informimi për të gjithë mozaikët e Shqipërisë, me hapësira ekspozimi, ateliesh dhe edukimi.
“Kjo vepër jo vetëm nxjerr në dritë gjurmët e historisë së qytetit, por ridimensionon gjithë zonën përreth, në shërbim të turizmit kulturor dhe komunitetit”, shkroi ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ndërsa ndau në rrjetet sociale një video nga kantieri ku po kryhen punimet.
Së shpejti vizitorët vendas dhe të huaj do të kenë mundësinë që njëkohësisht të shohin gjetjen arkeologjike më të vjetër në kryeqytet, e po aty të gjejnë edhe informacion për mozaikët e tjerë anembanë Shqipërisë.
Mozaiku i Tiranës mendohet të ketë qenë pjesë e një banese të tipit rural (vila rustica) të ndërtuar në shekullin I pas Krishtit. Mozaiku përmban motive gjeometrike e floreale por edhe motive tipike të Krishtërimit të hershëm, si gërsheti i stilizuar, rozetat e peshqit.













